Kërkohet të hiqet dorë nga negocimi për ndryshim kufijsh

Pala kosovare dhe ajo serbe në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian duhet të heqin dorë nga negocimi i ndryshimit të kufijve.

Ky ka qenë përfundimi i dalë nga raporti i Komitetit të Helsinkut për të Drejtat e Njeriut në Serbi e që është prezantuar sot në Prishtinë.

Sonja Biserko, nga Komiteti i Helsinkut për të Drejtat e Njeriut në Serbi ka thënë se raporti është realizuar ndërmjet muajve tetor dhe dhjetor të vitit të kaluar dhe ka qenë bashkëbisedim ndërmjet qytetarëve serb që jetojnë në Kosovë.

Sipas saj, i njëjti raport është prezantuar edhe në Beograd dhe shpreson se do të ketë ndikim.

“Ne mendojmë që do këtë ndikim pozitiv. Pasi kohëve të fundit ka ndikuar debati për ndarje, dhe ky debat u legjitimua në arenën ndërkombëtare, dhe kjo ka sjell konfuzion për të ardhmen e serbëve që jetojnë në anën tjetër të lumit Ibër. Komuniteti serb jeton në kushte të vështira. Ata bëjnë përpjekje të gjejnë vendin e vet. Nuk ka mbështetje nga Beogradi dhe kisha thënë se as nga Prishtina. Dhuna është zvogëluar por mungon mbështetja nga shqiptarët, mbështetja e vërtetë”, ka thënë Biserko.

Më tej, autorja e raportit “Komuniteti serb në Kosovë” ka shpalosur edhe disa prej rekomandimeve.

Sipas saj, negocimi i kufijve duhet të tërhiqet dhe duhet të shtohet vëmendja tek integrimi social dhe ekonomik i serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Për të dyja palët, ne mendojmë që duhet të heqin dorë nga negociatat për ndryshim kufijsh. Po ashtu, duhet të pranohet realiteti i Kosovës”, ka thënë Sonja Biserko.

Më tej, ajo ka numëruar edhe disa prej rekomandimeve të nxjerra nga hulumtimi, ndër të tjera edhe atë që Kosova duhet të kujdeset më shumë për të ofruar siguri për serbët që jetojnë në vend.

“Duhet t`i qasemi integrimit të serbeve edhe në aspektin social e ekonomik; të zgjidhen çështjet pronësore; të krijohet klimë për siguri; të mësohet gjuha shqipe nga serbët që jetojnë në Kosovë; të fillojë dialogu sa më parë, dhe jo vetëm në nivel shtetërorë, por edhe në nivel lokal, me serbët që jetojnë në Kosovë”, ka thënë tutje ajo.

Raporti ka pasur rekomandime edhe për mediat kosovare dhe palën ndërkombëtare.

“Mediat kosovare të vazhdojnë të mbulojnë dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, të ketë më shumë analiza konkrete dhe të promovohen sa më shumë shembujt pozitiv”, ka thënë ajo.

“Rekomandimi për ndërkombëtarët është se ata duhet të vazhdojnë të promovojnë vlerat multietnike edhe më shumë se deri më tani” ka thënë Sonja Biserko.

Lulzim Peci nga KIPRED, ka thënë se rekomandimet që janë dhënë nga raporti janë me vend, dhe sipas tij, njëri nga rekomandimet për përfshirjen e OJQ-ve serbe në grupin negociator duhet të shihet me vëmendje nga Qeveria e Kosovës.

“Opsioni i ndarjes do të shkatërroj multietnicitetin. Kjo ide prej që ka dal në opinion ka ngjallë frikë të serbët e Kosovës”, ka thënë ai.

“Rekomandimet e raportit janë me vend. Ekipi negociator duhet të përfshij brenda edhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile serbe në Kosovë. Kjo do të tregonte se Kosova është e barabartë dhe shteti ofron mbrojtje për të gjithë barabartë. Qeveria duhet të mendoj sesi të fus në ekip komunitetin serb”, ka thënë Peci.

Tutje ai tha se Kosova duhet të ndërtoj ambient të përbashkët për të gjithë ata që jetojnë në vend.

Raporti ka shfaqur edhe problemet e ndryshme të qytetarëve serb që jetojnë në Kosovë. Sipas të dhënave që janë prezantuar, ata ballafaqohen me probleme ekonomike dhe sociale.

Të rinjtë serbë, sipas raportit, nuk shohin perspektivë në Kosovë. Gjetjet treguan se 50 deri në 60 për qind e tyre do të shpërnguleshin.

Raporti “Komuniteti serb në Kosovë” është realizuar me rreth 40 bashkëbisedues serb, banorë të ndryshëm në tërë Kosovën. Ky raport  është i treti me radhë, pasi organizata ka publikuar edhe dy të tjerë në vitet më herët, një në vitin 2008 dhe një në vitin 2012.