Kandidati për Drenasin, Rrogën ua Dedikon Studentëve

Gjatë kohës sa do të jetë në krye të komunës, ai tha se pagën e tij do t’ua ndajë 10 studentëve të kësaj komune që kanë kushte më të vështira ekonomike.

Këtë premtim, Thaçi e bëri gjatë një bashkëbisedimi me mbi 400 studentë, ndërsa u zotua se do të punojë për dyfishimin e bursave të studentëve nga komuna.

Përveç kësaj, ai tha se fondacioni i kreut të partisë së tij, Behgjet Pacolli, do të ndajë edhe 200 bursa tjera për studentët e komunës.

“Ka ardhë koha që Drenasi ta ndërrojë këtë mendësi politike që këtu po zgjatë tash e 17 vjet e që nuk na solli asgjë të mirë”, tha Elmi Thaçi.

“Ka ardhë koha që ju të dashur studentë të bëni revolucion në vota të përkrahni AKR-në dhe vizionin e saj për zhvillimin ekonomik, ka ardhë koha që PDK-ja të shkojë në shtëpi e të hapë rrugë për zhvillim e përparim të vendit, ka ardhë koha që ju kur të diplomoni e të bëheni ekspertë të lëmive të caktuara të keni punë e jo të migroni nëpër botë” iu tha Thaçi studentëve.

Florentina Hajdari, kryetare e Forumit të Rinisë së AKR-së në Drenas, ka akuzuar pushtetin 17 vjeçar të PDK-së duke thënë se ky pishtët ka bërë që Drenasi të jetë qyteti më i varfër i Kosovës.

“Ne rinia dhe studentët jemi të bindur se kësaj radhe nuk do të lejojmë që të na udhëheqin këta njerëz të korruptuar, por do të votojmë AKR-në e cila do të qeverisë me duar të pastra”, ka thënë Hajdari.

elmi-thaci-2

Edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili erdhi në mbështetje të Elmi Thaçit, bëri thirrje që votuesit në Drenas ta mbështesin kandidatin e AKR-së.

“Nuk do të lëmë më njerëz të korruptuar në pushtet. Ku i morën të gjitha këto para këta njerëz që para lufte nuk kishin as opinga e tash janë bërë milionerë? Për gjithë këtë pasuri ata duhet të japin llogari dhe të përgjigjen para ligjit” ka thënë Bahtiri.

“Ju jeni ardhmëria dhe ju këtu në Drenas duhet të bëni ndryshime. Votojeni AKR-në dhe Elmi Thaçin se ky njeri nuk ka nevojë që juve t’u vjedhë, por do të ketë zhvillim ekonomik e që do të mbështetet nga AKR-ja dhe Presidenti Pacolli”, ka thënë Bahtiri.

Në garë për kryetar të Drenasit në zgjedhjet e 4 dhjetorit janë tetë kandidatë.