KADC kundërshton vendimin për importimin e veturave më të vjetëra se 15 vjet

Arben Lila nga organizata KADC,  përmes një shkrimi në facebook ka ndarë qëndrimin e organizatës duke shprehur shqetësimin dhe mospajtimin e thellë me vendimin e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik me të cilin synohet ndryshimi i Ligjit për Automjete.

“Është zhgënjyes dhe dëshpërues fakti se komisioni parlamentar për zhvillim ekonomik, përkundër dëshmive shkencore të shumta mbi rreziqet që shkaktojnë shkarkimet nga automjetet e vjetruara, përkundër përpjekjeve dhe politikave në Evropë dhe në Botë, dhe në kundërshtim me rezolutat dhe strategjitë mjedisore të miratuara nga vetë Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, merr vendim për të bërë pikërisht të kundërtën – rritjen e ndotjes së ajrit”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas KADC, nëse miratohet një politikë e tillë kjo do të rezultojë me kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve dhe ndotje të rëndë të ajrit, sidomos në mjediset urbane.

“Kjo do të mundësojë importimin e veturave me standardin evropian Euro 3 të shkarkimit që në vendet e BE-së është tejkaluar qysh para 13 viteve, që nga viti 2005”, thotë KADC.

Sipas tyre këto vetura emetojnë tre-fish me shumë okside të azotit, dhjetë fish më shumë grimca të pluhurit  dhe 30 përqind më shumë monoksid të karbonit se sa një veturë dhjetë vjet e vjetër.

“Këta ndotës paraqesin rrezik serioz për fëmijët pasi që pengojnë zhvillimin normal të mushkërive të tyre dhe duke kontribuar drejtpërdrejtë në krijimin e problemeve afatgjate shëndetësore dhe uljen e jetëgjatësisë së tyre”, thuhet ndër të tjera në reagimin e KADC-it.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vendet në zhvillim, rritja e ndotjes së ajrit shkakton më shumë se 2 milionë vdekje të parakohshme në vit (OBSH, 2014). Një nga burimet kryesore të ndotjes urbane të ajrit është transportit rrugor.

Mbi 70-80 përqind e ndotjes urbane të ajrit në qytetet e vendeve në zhvillim i atribuohet shkarkimit të emisioneve ne ajër nga një numër i madh i automjeteve të vjetra, mirëmbajtjes së dobët të automjeteve, infrastrukturës jo adekuate të rrugëve dhe cilësisë së ulët të karburanteve.

Sipas KADC në Kosovë, është e domosdoshme që të merren masa për përmirësimin e normave të lirimit të gazrave nga automjetet ekzistuese e jo të propozohen masa që e shndërrojnë Kosovën në deponi të mbeturinave të veturave të Evropës dhe që çojnë vendin drejt një katastrofe mjedisore.