Ilustrim

Zyra e BE-së e zhgënjyer me vendimin për importin e veturave të vjetra deri në 15 vjet

Zyra e BE-së në Kosovë së bashku me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt janë shprehur të zhgënjyer me vendimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për mundësinë e importit të veturave të vjetra deri në 15 vjet.

Zyra e BE-së në Kosovë ka shkruar në Facebook se janë të zhgënjyer me vendimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik pavarësisht se kjo çështje është ngritur gjatë takimit të Komitetit të MSA-së javën e kaluar.

“Një veprim i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit në Kosovë dhe është qartë kundër objektivave të BE-së”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se vendimi i Komisionit është kundër Ligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja dhe në kundërshtim me Rezolutën e Kuvendit mbi Ndotjen e Ajrit, e miratuar në shkurt të këtij viti si një nga prioritetet më të larta në nivel kombëtar në atë kohë.

Këtij reagimi i është bashkuar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt i cili ka thënë se i bashkohet zhgënjimit për vendimin e Komisionit në lidhje me veturat.

“I bashkohem zhgënjimit. Kosova do të ishte më mirë me Kosova do të ishte më mirë me vetura moderne, madje me vetura hibride apo elektrike”, ka shkruar Heldt në Twitter.

Gjatë ditës së sotme, Komisioni për Zhvillim Ekonomik Infrastrukturë, Tregti dhe Industri kanë mbajtur një takim ku si pikë e rendit të ditës ka qenë edhe shqyrtimi i Raportit me Rekomandime për Projektligjin nr.06/L-064 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjete.

Iniciativa për ndryshimi i Projektligjit për Automjete ka ardhur nga deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku.

Propozuesi, Mërgim Lushtaku, ka propozuar që të ndërrohen tri nene të këtij ligji neni 44, neni 63 dhe neni 89.

Sipas tij te neni 44, ku thuhet se në Kosovë nuk mund të importohen vetura më të vjetra se 10 vite duhet të ndryshohet pasi BE dhe SHBA nuk e kanë të rregulluar me vjetërsi por në aspektin e standardeve.

“Pas kësaj i kam shqyrtuar vendet e Evropës dhe SHBA kryesisht perëndimi, e pash që nuk ka ndalesë në vite po në aspektin e standardeve. Kemi problem që kushtet e ekonomike të familjeve kosovare i kanë shumë të vështirë të kenë në dispozicion vetura të reja dhe është e domosdoshme që kjo dispozitë të largohet”, tha Lushtaku.

Te neni 63, sipas Lushtakut ka një shkelje flagrante të të drejtave të qytetarëve.

“Sipas këtij neni për të bërë ndërrimin e pronësisë të automjetit nëse nuk e ndërron pronarin deri në 30 ditë regjistrimi shkon huq nëse nuk e ka bërë atë brenda 30 ditëve”, tha Lushtaku.

Kundër këtij propozimi ishte shprehur ish-ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj.

https://kallxo.com/ministrja-reshitaj-kunder-importit-te-veturave-me-te-vjetra-se-10-vjet/

Edhe tash ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka deklaruar se ndryshimi i ligjit për automjete që lejon importimin e veturave më të vjetra se sa dhjetë vite, nuk duhet të ndodhë, pasi që do të ishte në dëm të qytetarëve të Kosovës.

https://kallxo.com/matoshi-importimi-i-veturave-te-vjetra-demton-qytetaret/