Jashari: Grupi i Deputetëve të Pavarur i bashkohet Partisë Social Demokrate të Kosovës

Grupi i Deputetëve të Pavarur, nga sot janë pjesë e Partisë  Social Demokrate të Kosovës në bazë të një marrëveshjeje që është bërë mes tyre gjatë ditë së sotme.

Nga 9 maji 2018, ky subjekt politik do të udhëhiqet nga ata që iu bashkuan PSDK-së e që deri më sot janë quajtur Grupi i Deputetëve të Pavarur.

Lajmin e ka bërë të ditur për KALLXO.com, Kaqusha Jashari, kryetarja aktuale e Partisë Social Demokrate të Kosovës.

“Partia Socialdemokrate vazhdon dhe më tutje dhe do ta mbajë kuvendin e saj më 9 maj. Në Kuvend do të zgjedhim organet e reja, Kryesinë dhe Këshillin drejtues dhe kryetarin. Jemi marrë vesh që për kryesi dhe Këshillin drejtues ta ndajmë përbashkët. Ne kemi më pak numër se ata, ndërsa për kryetarin ne do ta përkrahim që të jetë prej tyre”, tha Jashari për KALLXO.com.

Jashari tha se përmes kësaj marrëveshjeje, 12 deputetët e Grupit të Deputetëve të Pavarur i janë bashkuar sot Partisë Social Demokrate të Kosovës.

“Ata janë pjesë e Partisë Socialdemokrate. Ata janë bashkuar me ne. Ne nuk e kemi pasë marrëveshje të vrazhdë, por kemi pasë marrëveshje të përbashkët. Organet po ashtu janë të përbashkëta, prej strukturës sonë kanë që janë me vite në parti. Nuk ka qenë reale që kryetarin me pas ne, sepse ne në parti jemi pak në moshë. Andaj ka ardhur një rast i mirë të fuqizohet partia. Ne vazhdojmë me këtë emër, ne vazhdojmë punën. Unë kam shumë besim në ta”, tha Jashari.

Ajo tregoi se PSDK-ja është pajtuar që ta udhëheqin më të rinjtë e bashkuar në këtë subjekt.

“ Partia ka mbetur Socialdemokrate por po pajtohemi që kryetari të jetë prej Grupit të Deputetëve të Pavarur sepse janë të rinj, më të fuqishëm dhe më të lëvizshëm se na”, tha Jashari.

Sipas Jasharit, deklarata e parimeve e cila është publikuar nga Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani është plotësisht e njëjta me atë të subjektit politik PSDK.

“ Ata kanë marrë parimet e socialdemokracisë. Edhe veprimi i tyre në Kuvend është kah socialdemokracia, sepse është për ekonomi, çështje sociale. Ata kanë studiuar programin tonë, statutin tonë dhe janë pajtuar me krejt ato”, tregoi Jashari.