PSD: Albin Kurti nuk e lejon Arben Vitinë të japë dorëheqje

Partia Socialdemokrate e Kosovës me anë të një postimi të gjatë ka thënë se ekzistenca e karantinës, e cila është vendosur në Qendrën e Studentëve, po tregon se është e panevojshme.

Sipas PSD-së, sot e tetë ditë që nga vdekja e 26 vjeçarit Agon Musliu nga Gjilani, i cili dyshohet se u hodh nga kati i pestë i konviktit ku po qëndronte në karantinë, kryeministri Kurti nuk ka reaguar për këtë rast.

Madje PSD në njoftim ka thënë edhe se Arben Vitia si ministër i Shëndetësisë në detyrë ish dashur të japë dorëheqje por një gjë të tillë nuk e ka lejuar kryeministri Kurti.

Madje PSD ka ngritur edhe disa çështje të tjera se fëmijë e të mitur janë mbajtur në karantinë, për çka thonë se kjo është jashtë kritereve të vendosura nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të PSD-së:

Sot janë bërë 8 ditë nga rasti tragjik që ndodhi në Karantinën e improvizuar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ku për pasojë vdiç një 26 vjeçar. Pikërisht ky rast tragjik, bëri që tërë vëmendja e shoqërisë të kthehej nga ky vend i improvizuar për karantinë.

Po kaq ditë kanë kaluar që Kryeministri Kurti nuk e ka thënë bash asnjë fjalë për këtë rast. E kemi parë shpesh kryeministrin i cili i drejtohet publikut edhe për gjëra më banale, kurse për rastin tragjik të konvikteve ka heshtur. Poashtu, ministri Vitia deri vonë ishte yll i paraqitjeve publike, por ka kohë që nuk është paraqitur në publik ndonëse situata me pandeminë po vazhdon.

Nga raportimet e ndryshme, ishim dëshmitarë që persona të ndryshëm ishin liruar në mënyrë selektive nga karantina. U bënë denoncime publike për certifikata mjekësore të falsifikuara të cilat ishin lëshuar për persona të ndryshëm që të liroheshin nga karantina. U përmendën emra të lidhur me partinë në pushtet, të cilët kishin përfituar nga lidhjet politike dhe ishin liruar nga karantina. Për shumë nga këto kishte xhirime e dokumente që dëshmonin.

Ndaj rasteve të tilla që e rëndojnë tërë shoqërinë, shteti duhet të reagojë me shpejtësi maksimale. Tash që janë bërë 8 ditë, ende nuk e kemi një raportim për mbarëvajtjen dhe të gjeturat e hetimeve. Duke pasur mjaftueshëm dëshmi e dëshmitarë, deri tash do të duhej ta dinim se ku ka qenë gabimi dhe dështimi në këtë rast. E po ashtu, hetimi do të duhej të shtrihej e të vazhdojë në të gjitha shkeljet e tjera të pretenduara dhe shkelësit të ndiqen penalisht.

Përderisa, Ministri Vitia dhe Sveçla do të duhej të jepnin dorëheqje të menjëhershme për shkak të përgjegjësisë politike mbi rastin. Nuk po themi që janë fajtorë, por po themi që janë përgjegjës. Ai person ka vdekur në duar të shtetit, i cili po e mbante atë pa faj dhe pa dëshirë. Nuk bën të harrojmë që të dy këta ministra kanë treguar që para Kushtetutës dhe të drejtave të njeriut, ata dëgjojnë shefin e tyre Kurtin. Prandaj dorëheqja e tyre do të ishte vetëm një hap që do të garantonte mos ndërhyrjen e tyre ne procesin hetimor. Personalisht jam i bindur, që Ministri Vitia do të jepte dorëheqje por ai nuk lejohet nga Kurti.

Ekzistenca e karantinës në qendrën e studentëve po dëshmohet totalisht e panevojshme. Këtë na e dëshmon edhe vendimi i fundit i Qeverisë ku e shkurton kohën e detyrueshme të karantinimit në këtë qendër nga 14 në 7 ditë. Duke mos qenë vendim i bazuar në shkencë, e vetmja arsye pse ende ekziston karantina është ajo politike. Kemi parë zell të paparë që pikërisht kjo karantinë të përdorej politikisht në rastin e deputetit Pacolli prandaj po duan që ta mbajnë të hapur në mënyrë që ta përdorin kur u duhet.

Poashtu, nga informata të pakonfirmuara dhe jozyrtare, flitet që ka persona të mitur që janë mbajtur në karantinë. Nëse është e vërtetë, kjo është kundër kritereve të vendosura nga qeveria dhe poashtu shfaq një standard të dyfishtë të trajtimit të këtyre personave pasiqë disa të tillë janë liruar e disa janë mbajtur. Prandaj nga këtu po e shprehim si pyetje publike.

Poashtu, nga raportet e policisë që publikohen nga mediat pamë që dy persona nga një fshat i Kamenicës janë ndalur nga policia dhe për shkak të mosrrespektimit të orarit të lëvizjes, janë dërguar në karantinë në Prishtinë. Kjo është gabim dhe e papranueshme. Qendra e studentëve nuk duhet të shërbejë si masë ndëshkuese për ata që shkelin rregullat. Pavarësisht pandemisë, demokracia dhe liritë e njeriut nuk guxojnë të shkelen e cënohen, siç po ndodhë në shumë vende të botës e edhe te ne.

Tash që po u afrohemi masave lehtësuese, do të duhej t’i bënim një rikapitullim të sjelljes së shtetit tonë ndaj kësaj pandemie. Jemi dëshmitarë që masat që nga fillimi kanë qenë më rigoroze sesa që duhej, e për rrjedhojë kanë shkaktuar dëme shumë të mëdha ekonomisë dhe jetës shoqërore në përgjithësi. Interesi i vetëm i qeverisë kanë qenë shifrat, përmes të cilave tenton ta lavdërojë veten. Sot, shumë shtete janë në masa tepër më të lehta sesa ne. Ne do ta kalojmë krizën e pandemisë, por me këto masa, kjo qeveri ia ka siguruar qytetarëve tonë një krizë të paparë ekonomike.

Ekonomia që më shumë se 2 muaj është jashtë funksionit në shumë sektorë. Dhe edhe pakoja e famshme e qeverisë e cila është totalisht e pamjaftueshme dhe e gabuar si qasje, nuk është vënë në funksion ende. Duke e ditur që ka edhe pak ditë në pushtet, Kurti po përkujdeset që krizën ekonomike t’ia lë në dorë qeverisë së ardhshme. E në këtë betejë politike, humbësi më i madh do të jenë qytetarët sepse tashmë edhe nga vet qeveria flitet për mijëra vende punë më pak.

Qeveria duhet të ndalojë përdorimin politik të pandemisë. Ajo duhet që në mënyrë urgjente, bashkë me partitë e tjera, shoqërinë civile dhe profesionistët e fushës të përgatisë një plan të rimëkëmbjes ekonomike. Nuk duhen masa kursimtare dhe konservatore. Duhet plan i madh i investimeve publike që do të ndalonte sa më shumë rënien ekonomike e cila siç po e shohim është e pashmangshme.

 

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!