Ish-Punëtorja Jep Deklaratën në Gjyqin ndaj "ProCredit Bank"-ës

Albana Morina, ish-punonjëse e “ProCredit Bank”-ës ka dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë për ta dhënë deklaratën e saj lidhur me largimin nga puna, të cilin ajo e konsideron të  jashtëligjshëm.

E emocionuar gjatë dhënies së deklaratës, ajo theksoi se nga punëdhënësi ka pasur një qasje diskriminuese që nga momenti i vlerësimit për të qenë punëtore e asaj Banke. “Edhe pse isha e bindur që kam punuar mirë në testin fillestar, zyrtarët e Bankës më thanë se kam punuar dobët. Pas insistimit tim e kam parë që jam vlerësuar me pikë maksimale dhe më pas jam ftuar në intervistë”, tha Albana në Gjykatë.

“Kam lidhur kontratë më 19.07.2010 për afat të pacaktuar. Edhe pas themelimit të marrëdhënies së punës unë u dërgova për tre muaj të punoj në një pozitë më të ulët sesa pozita për të cilën isha pranuar”, ka dëshmuar ajo.

Sipas Albana Morinës, nga ky diskriminim nuk është dëmtuar vetëm ajo, por edhe klientët e saj, të cilëve u refuzoheshin kërkesat për të marrë kredi. “Pas kësaj, lënda e atyre kredive ka shkuar deri te drejtori gjeneral i Bankës, Filip Sigvart”, tha ajo.

Pasi që unë tregohesha e suksesshme, tha Albana më tej në deklaratën e saj, zëvendësdrejtoresha Mimoza Godanci më paraqiti një ofertë që t’i marr 3 paga dhe ta ofroj dorëheqjen. “Unë përsëri kërkova takim me z. Sigvard e ai më propozoi një pozitë tjetër që nuk ishte nën menaxhimin e Godancit. Aty kam punuar deri sa më është ndërprerë marrëdhënia e punës, në shkurt 2013”, tha ajo. [interaction id=”56d597de36e5105a3a304844″]

Albana Morina tregoi më pas se në muajin dhjetor të vitit 2012 është ftuar në takim nga Nora Rraci dhe Rrezak Fetahi, zyrtarë të Bankës. “Nora më ka thënë se kemi vendosur që të bëjmë reduktim të stafit dhe për këtë ti mund t’i marrësh tri paga dhe ta ofrosh dorëheqjen. E kur i thash se çka nëse nuk e ofroj dorëheqjen, ajo tha se “është më mirë kështu sepse nëse të largojmë nga puna do ta shkatërrojmë reputacionin tënd””, shtoi Albana.

Më tutje, Albana Morina deklaroi se ka kërkuar që atë ofertë ta merrte me shkrim porse ajo kurrë nuk i është dërguar.

“Pas atij takimi e deri kur jam larguar përfundimisht nga puna, unë kam pasur pengesa në qasje në intranet, internet e në user-in tim, gjë që ma pamundësonte t’i kryeja punët në mënyrë të rregullt”, tha po ashtu në deklaratën e saj Albana.

Albana Morina theksoi në Gjykatë se konsideron se “ProCredit Bank” ka bërë diskriminim në baza gjinore “ngase kur më është thënë se po bëhet reduktim i stafit, në pozitën e njëjtë ishim tre persona dhe u larguam nga puna vetëm unë dhe Emine Berisha, ndërsa në vendin e punës mbeti Mentor Muçaj”.

Merita Stublla-Emini, përfaqësuese e Albana Morinës, e pyeti atë se a është dikush tash në pozitën e njëjtë që e ka pasur ajo. “Tash aty punon Valon Halilaj. Kjo bën të kuptosh që unë jam larguar pa ndonjë arsye të bazuar”, tha ajo.

Ndërsa, Kujtim Kërveshi, avokati i “ProCredit Bank”-ës, e pyeti paditësen se a ka dëshmi të shkruara për të vërtetuar se ka pasur diskriminim, se a ka bërë ankesë për diskriminim dhe se si mund të vërtetojë thëniet e ish-drejtorit gjeneral të  “ProCredit Bank”-ës, Filip Zigvard.

Albana tha se ato të dhëna janë konfidenciale dhe nuk mund të sillen, ndërsa sa i përket drejtorit Zigvard tha se është jashtë shtetit dhe se nuk beson që mund të vijë e të deklarojë për këtë rast.

Seanca e radhës është caktuar më 14 mars 2016.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

http://kallxo.com/fillon-gjyqi-i-punetores-kunder-procredit-bank/

”Pro Credit Bank”-Largimet e Dyshimta të Punëtorëve