Ish-kryetari i Komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifi

Ish-Kryetari i Vitisë Dëshmoi Kundër Ish-Vartësve të Tij

Ish-kryetari i Vitisë, Nexhmedin Arifi, ka dëshmuar në gjyqin për korrupsion ndaj ish-zëvendësministrit të Drejtësisë, Daut Xhemajli.

Asamblisti aktual nga radhët e Nismës për Kosovën akuzohet se në kohën kur ishte shef i Administratës dhe Personelit, në vitin 2009, pa përfillur Zyrën e Prokurimit ka lidhur kontratë me vlerë prej 7,900 eurove për implementimin e punëve të projektit “Rregullimi i trotuarëve dhe drunjve dekorativë në Viti” me kompaninë NNP “Kristal”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, dëshmitari tha se nuk e di nëse ka pasur tender për këtë projekt.

Prokurori më tutje pyeti dëshmitarin se cila ishte pozita e të akuzuarit Daut Xhemajli atë kohë, gjatë mandatit të tij si kryetar Komune.

“Daut Xhemajli atë kohë ka pasur pozitën e shefit të Administratës dhe Personelit, dhe sipas një rregullore për funksionimin e pushtetit lokal i njëjti ka pasur kompetenca përafërsisht sa të kryetarit të Komunës”, deklaroi Arifi para trupit gjykues.

I akuzuar tjetër, Abdullah Emini, akuzohet se në cilësinë e shefit të Zyrës së Prokurimit, më 11 shtator 2009, e ka vazhduar në mënyrë të kundërligjshme kontratën për furnizim me derivate me kompaninë “Izi Petroll”.

Pjesë e aktakuzës është edhe Sabri Sherifi, i cili kishte pozitën e menaxherit për mbikëqyrje të punimeve. Ai akuzohet se ka kryer pagesën e punimeve pa u përfunduar ato në projektin për rregullimin e trotuareve dhe kanalizimit në Pozheran.

Në dëshminë e tij ish-kryetari i Komunës ka tentuar të shpjegojë rrjedhën e projekteve, duke thënë se Komuna nuk është dëmtuar nga keqpërdorimet për të cilat flet prokuroria.

I pyetur nga avokati Ekrem Pira nëse Komuna është dëmtuar financarisht Arifi u shpreh: “Jo, nuk është dëmtuar sa e di unë”.

Por, pas pak kohe Nexhmedin Arifi u ra pishman konstatimeve të tij.

Në pyetjen e radhës nga prokurori, ish-kryetari i Komunës ndryshoi qëndrim, duke pretenduar se paratë nuk është dashur të paguhen pa u përfunduar projekti.

“Sipas mendimit tim nuk duhet lejuar pagesa pa përfunduar punimet”, tha Arifi.

I akuzuari Daut Xhemajli ushtroi funksionin e zëvendësministrit të Drejtësisë nga 25 maji i vitit 2011 deri në mars të vitit 2014. Në po atë muaj Xhemajli kishte dhënë dorëheqje nga strukturat e PDK-së.

Xhemajli tani është kryetar i degës së Nismës në Viti dhe asamblist në këtë Komunë.

Shqyrtimi i radhës është caktuar më 18 maj.