Gjykimi ndaj Merita Shehu - 16.01.2019 - FOTO KALLXO

Ish-arkëtarja e FINCA-s kërkon marrëveshje me Prokurorinë

Në gjykimin ndaj Merita Shehu, për vepra që ndërlidhet me korrupsion parashihej që sot të bëhej kundërshtimi i aktakuzës.

Prokuroria e Gjakovës, po e ngarkon Merita Shehun me veprën penale të përvetësimit në detyrë.

Para se të kundërshtohet aktakuza e Prokurorisë, avokati i të akuzuares Shehu, kërkoi nga Gjykata kohë për një marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.

“Jemi të disponimit për negocim të pranimit të fajësisë”, tha avokati Esat Gutaj.

Ndërsa prokurori Agron Matjani tha se është i pajtimit lidhur me propozimin e mbrojtjes.

Lidhur me këtë propozim, pala e dëmtuar FINCA përmes të autorizuarit të saj Auberon Kelmendi, kërkoi që të marrin pjesë në çdo marrëveshje që bëhet.

Pas kësaj gjyqtari Shaqir Zika caktoi datën 4 shkurt për prezentimin e marrëveshjes së arritur, në të kundërtën do të vazhdohet procedura e kësaj çështje.

Në seancën e kaluar Merita Shehu, nuk e kishte pranuar fajësinë.

 

https://kallxo.com/punetorja-e-akuzuar-e-finca-s-nuk-e-pranon-se-i-pervetesoi-mbi-23-mije/

 

Ndërsa i autorizuari i FINCA-s, Auberon Kelmendi, kishte thënë se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se si institucion mikro-financiar kërkojnë kompenzim dëmi.

“E akuzuara nuk e ka përmbushur detyrimin ndaj Institucionit Mikro-financiar FINCA, andaj në kërkesën pasurore juridike kërkojmë kompensimin e shumës prej 23.977.60 euro”, kishte thënë Kelmendi.

Sipas aktakuzës, këto veprime janë konsumuar në muajin janar  e deri në qershor 2018.

Merita Shehu si arkëtarë në Institucionin Mikro-financiar Finca, në Degën në Rahovec, po akuzohet nga Prokuroria se ka marrur shumën e të hollave prej 14.200 euro, e po ashtu ka përvetësuar ratat e 40 klientëve në shumë prej 977.50 euro.