Dosja e Prokurorisë për inkasantin e akuzuar të ujësjellësit për përvetësimin e mbi 20 mijë eurove

Inkasanti i ujësjellësit në Prizren, Hafir Gallapeni, i akuzuar për përvetësim të mbi 20 mijë eurove, u ballafaqua në Gjykatë me dëshminë e menaxherit të tij

Sipas aktakuzës, Hafir Gallapeni po akuzohet për veprën penale të përvetësimit në detyrë.

Prokuroria pretendon se prej muajit mars të vitit 2013 e deri në maj të vitit 2015, në cilësinë e inkasantit në kompaninë e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, ka përvetësuar shumën prej 20,310.56 euro.

I akuzuari Gallapeni, shumën e inkasuar të mbledhura nga pagesat e 816 konsumatorëve për ujin e shpenzuar, nuk i kishte dorëzuar në kompaninë e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, thuhet në aktakuzë.

Dëshmitari Hysni Ahmeti, menaxheri rajonal për konsumatorë në kompaninë e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, tregoi se inkasantët kanë pasë për obligim të pajisjen me bllok-dëftesa të zbrazëta.

Ai tha se dëftesat merren te arka dhe mbahet evidenca për numrat dhe datat e dëftesave.

Menaxheri Ahmeti, tha se inkasantët në kompaninë “Hidroregjioni”, obligim kanë dorëzimin e parave të paguara e konsumatorët.

“Inkasantët e terenit kanë pasë për obligim leximin e ujëmatësve dhe leximin e faturave të konsumatorëve dhe paratë e mbledhura gjatë ditës, të nesërmen në mëngjes i shkarkojnë te faturistët dhe të njëjtat duhet t`i dorëzojnë në arkë”, deklaroi Hysni Ahmeti.

Sipas Ahmetit, në këtë rast procesi i dorëzimit nuk ka shkuar siç duhet.

Dëshmitari Hysni Ahmeti, tregoi se një dëftesë i lihet konsumatorit, një faturistit dhe një kopje mbetet në bllok.

Menaxheri i kompanisë së ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, në komunën e Prizrenit tregoi se mospërputhjen e pagesave e kishin vërejtur nga ankesa e një konsumatori.

“Në bazë të dëftesave të konsumatorit kur kemi kontrolluar kartelën në sistem kemi vërejtur se një pjesë e borxhit nuk është minusuar dhe aty kanë lind dyshimet që nuk është respektu procedura e shkarkimit dhe minusimi i borxhit”, tha dëshmitari Hysni Ahmeti.

Ahmeti tha se fillimisht kompania kishte inicuar procedurë në komisionin disiplinor, e që më pas kishte filluar edhe procedura penale ndaj të akuzuarit Gallapeni.

Pas kësaj dëshmie, mbrojtësi i të akuzuarit Hafir Gallapeni, avokati Durim Nevzati, kërkoi nga gjykata që leximi i shkresave të lëndës të shtyhet për një ditë tjetër.

Ndërsa gjykatësja Ajsere Skenderi, caktoi datat 17 dhe 25 mars për seancat e radhës.