Gjykimi i policit Shkumbin Jashari, i akuzuar për përvetësimin e 2 mijë eurove gjatë një bastisjeje

Polici i akuzuar për vjedhje të 2 mijë eurove gjatë bastisjes flet në gjykatë

Shkumbin Jashari, polici i cili akuzohet nga Prokuroria se ka vjedhur 2 mijë euro gjatë një bastisjeje të policisë dhe se ka mbajtur armë pa leje, doli sot para Gjykatës së Prishtinës.

I akuzuari Jashari deklaroi se aktakuza është ngritur ndaj tij për shkak të hakmarrjes.

“Unë mendoj se kjo është një hakmarrje ndaj punës time, jo vetëm për atë kazino por dhe në dukuri tjera negative, pasi që ai pronar i kazinos është edhe i përfshirë në dukuri të tjera kriminale”, deklaroi ai.

Ai po ashtu shtoi se vetëm ka marrë bllokun e kolegut të tij nga banaku dhe asgjë tjetër.

“E kam marrë bllokun nga banaku dhe e kam futë në xhep të jaknes zyrtare, ia kam dorëzu bllokun pak para se me hy në stacion, sepse na u ka dashtë për shënime. Unë nuk kam marrë asnjë kuletë, e as asgjë të huaj”, shtoi Jashari.

Prokurori i rastit, Ibrahim Berisha tha se është i gatshëm që t’a japë fjalën përfundimtare.

Kurse mbrojtja e të akuzuarit Jashari, avokati Asdren Hoxha deklaroi se fjalën përfundimtare do ta japë në seancën e radhës.

“Pa e dëgju prokurorin dhe qëndrimin e tij unë s’mund t’a paragjykoj qëndrimin final të prokurorit. Andaj në këtë moment nuk jam në gjendje që ta jap fjalën time përfundimtare dhe të njëjtën do ta jap në seancën e radhës pas dëgjimit të fjalës së prokurorisë”, deklaroi avokati Hoxha.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor për përvetësim të kundërligjshëm të pasurisë me rastin e bastisjes dhe ekzekutimit të vendimit gjyqësor dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Shkumbin Jashari me datën 29 mars 2019, në ora 00:55 në lokalin “Las Vegas 2”  në cilësinë e personit zyrtar të policisë së Kosovës sa ishte duke ushtruar kontrollin-bastisjen e lokalit, ai shfrytëzon rastin duke e zbërthyer zingjirin e uniformës policore dhe merr kuletën me 2000 euro e cila ishte në banak në përgjegjësi të tani të dëmtuarit Alban Qerkini.

Gjithnjë sipas aktakuzës me datën 4 prill 2019, gjatë kontrollit të kryer nga IPK-ja në punëtorinë e tani të akuzuarit në rrugën “Lulzim Jashari” në Fushë Kosovë, i është gjetur dhe sekuestruar një pushkë ajrore e tipit “Diana” model 25 me 17 fishekë të llojeve të ndryshme të kalibreve 9x9mm, një palë pranga dhe një karikator të cilin e mbante pa autorizim.

Seanca e radhës u caktua për datën, 28 janar në ora 13:30.

Aktakuza: Si i vodhi polici i Kosovës 2 mijë euro?