Mungon anëtarja e trupit gjykues, dështon seanca ndaj policit i cili akuzohet se vodhi 2 mijë euro

Në mungesë të anëtares së trupit gjykues, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj policit Shkumbin Jashari.

Prokuroria e akuzon Jasharin se ka përvetësuar 2 mijë euro gjatë një bastisje të policisë dhe se ka mbajtur armë pa leje.

Kryetarja e trupit gjykues Shpresa Hyseni, ka njoftuar palët e pranishme se anëtarja e trupit gjykues Suzana Çerkini për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të jetë e pranishme në seancën e sotme.

E njëjta gjithashtu ka bërë të ditur se mungojnë edhe dëshmitarët edhe pse të njëjtit ftesat i kishin pranuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tyre nuk e kishin arsyetuar.

Kurse të pranishëm në sallë ishte i akuzuari Shkumbin Jashari dhe mbrojtësi i tij, avokati Asdren Hoxha, si dhe prokurori i rastit Ibrahim Berisha.

Në mungesë të kushteve ligjore seanca e radhës u caktua me 2 dhjetor.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor për përvetësim të kundërligjshëm të pasurisë me rastin e bastisjes dhe ekzekutimit të vendimit gjyqësor dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, me datën 29 mars 2019, në ora 00:55 në lokalin “Las Vegas 2”  në cilësinë e personit zyrtar të policisë së Kosovës sa ishte duke ushtruar kontrollin-bastisjen e lokalit, ai shfrytëzon rastin duke e zbërthyer zingjirin e uniformës policore dhe merr kuletën me 2000 euro e cila ishte në banak në përgjegjësi të tani të dëmtuarit Alban Qerkini.

Gjithnjë sipas aktakuzës me datën 04 prill 2019, gjatë kontrollit të kryer nga IPK-ja në punëtorinë e tani të akuzuarit në rrugën “Lulzim Jashari” në Fushë Kosovë, i është gjetur dhe sekuestruar një pushkë ajrore e tipit “Diana” model 25 me 17 fishekë të llojeve të ndryshme të kalibreve 9x9m m, një palë pranga dhe një karikator të cilin e mbante pa autorizim.