Foto: REL/AFP

Iranianët rrezikojnë të mbeten pa Telegram

Për dhjetëra miliona iranianë, Telegrami është një mjet i domosdoshëm. Aplikacioni i koduar i mesazheve përdoret nga gjysma e popullsisë për gjithçka – nga shpërndarja e videove me familjarë dhe miq deri te bërja e biznesit dhe debati politik. Gjatë viteve, ai është bërë mjet komunikimi edhe në mesin e zyrtarëve dhe institucioneve shtetërore.

Por, njoftimi i së mërkurës se mekanizmat qeveritarë do të ndalojnë të përdorin aplikacionet e huaja të mesazheve, përfshirë Telegramin, i shqetëson qytetarët që duan të ndajnë informacione pa frikën e ndëshkimit.

Në të kaluarën, autoritetet kanë bërë përpjekje të filtrojnë Telegramin, për t’i penguar figurat anti-establishment të kenë komunikim të sigurt.

Përballë mundësisë që Telegrami të bllokohet plotësisht, autoritetet kanë promovuar disa alternativa vendore.

Vetë udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khameni, ka lavdëruar sigurinë e shërbimeve vendore të mesazheve, ndërsa ka njoftuar të mërkurën se ai, personalisht, nuk do të përdorë më Telegramin dhe se do të kyçet tek alternativat që ofron Irani.

“Zyrtarët duhet të mbrojnë sigurinë dhe privatësinë e popullit dhe vendit tonë”, ka thënë Khameni në një takim këtë muaj.

“Pushtimi i privatësisë dhe i sigurisë së njerëzve është i ndaluar me fe, është kundër ligjit islamik dhe nuk duhet të ndërmerret”, ka thënë Khamenei.