Foto nga ceremnoia e Përvjetorit të Themelimit të IPK-së, Foto: KALLXO.com

IPK shënoi 13 vjetorin e themelimit, përmendet edhe aksioni në veri

Inspektorati Policor i Kosovës ka shënuar 13 vjet që nga themelimi i saj.

Drejtuesja e këtij institucioni, Miradie Kelmendi u zotua se institucioni i IPK-së do të ec hapave të sigurt për të parandaluar çdo dukuri negative.

“Sukseset janë të dukshme. Ato nuk do të ishin evidente pa kontributin e punëtorëve të IPK-së. Gjatë këtyre viteve kanë vijuar shumë suksese ku mbështetje kanë dhënë edhe partnerët tjerë për të parandaluar krimin e organizuar dhe korrupsionin”, tha ajo.

Tutje Kelmendi përmendi dy nga shumë operacionet e suksesshme të Inspektoratit Policor të Kosovës.

“Për opinionin është i njohur rasti i arrestimit të 59 zyrtarëve policor të trafikut si dhe muajin e kaluar arrestimet e zyrtarëve policor në veri. Jemi të mbështetur nga partnerët roli i te cilëve ka qenë i madh. Prokuroria mbetet akter me rëndësi në mbështetjen e saj për IPK-në. Policia e Kosovës është treguar tejet konstruktive për tu zhvilluar”, tha ajo.

Në përvjetorin e IPK-së mori pjesë edhe Kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai tha se IPK është një institucion që ‘na bënë krenarë’.

“Mu më vie mirë që ka kush e sheh policinë tonë dhe më vjen mirë. Pse po them dikush na sheh, pasi qe sa ma shumë dikush na sheh, jemi më te saktë më korrekt. Unë mburrem me Policinë e Kosovës me profesionalizmin, do të jemi përkrahës të Policisë së Kosovës”, tha ai.

Tutje ai shtoi se ka sfida në Kosovë por që duhet të punohet së bashku.

Kimberly Riffe nga ICITAP, një partner kyç ky i IPK-së, përmendi edhe aksionin në veri të Mitrovicës dhe suksesin për arrestimin e zyrtarëve policor.

“Ju duhet të vazhdoni të punoni me përkushtim të njëjtë. Ju prezantoni një agjenci shumë të rëndësishme e cila është e cila është e pajisur me hetues dhe inspektor të policisë, të cilët parandalojnë dukuritë negative. Ju e keni për obligim ndaj vendit që të gjitha këto hulumtime dhe inspektime ti bëni me nderë”, tha Riffe.

Ambasadori Jan Braathu tha se që nga fillimi kanë qenë në përkrahje të Inspektoratit Policor të Kosovës.

“Ne kemi qenë me ju, duke bërë strategji, duke draftuar strategji. Ne do të vazhdojmë të adresojmë nevojat tuaja kërkesat tuaja te partnerët”, tha ai.

Zëvendministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Izmi Zeka tha se puna e Policisë së Kosovës ka bërë që në institucionet e rendit të ketë përgjegjësi dhe ruajtje të sigurisë.

Në përvjetorin e 13 të IPK-së, Prokurori special, Sylë Hoxha tha se IPK ka arritur të bëhet e profesionalizuar.

Ai madje ka falënderuar IPK për bashkëpunimin me Prokurorinë Speciale.

Në fund të fjalimeve, u ndanë edhe dekorata e mirënjohje për partnerët dhe bashkëpunuesit e IPK-së.

Kryeministri Haradinaj dekoroi përgjegjësin për operacionin në veri të Mitrovicës, Bardhyl Haxhimustafa.

Për aksionin në veri ka marrë dekoratë edhe Prokurori special, Sylë Hoxha.

“Drejtësia në Kosovë” mori mirënjohje për bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës.