Miradije Kelmendi, Kryeshefe e IPK-së

Drejtoresha e IPK-së konteston vendimin e Xhelal Sveçlës, thotë se zëvendësi u caktua jashtëligjshëm

Gjatë ditës së sotme, me anë të një vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme është shkarkuar nga detyra e drejtoreshës së Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Kelmendi ka konfirmuar se ka marrë vendimin për shkarkim, duke shtuar se i njëjti vendim është i pabazuar dhe i paligjshëm.

“Arsyetimi i vendimit i referohet disa draft-raporteve dhe dokumenteve që nuk lidhen me periudhën që kam udhëhequr në IPK. Të gjitha vendimet që kam ndërmarrë në krye të këtij institucioni janë të bazuar në ligje”, ka thënë Kelmendi për KALLXO.com.

Ajo shtoi se vendimi për shkarkim është tendencioz duke shtuar se nuk është befasuar pasi që ndaj saj është përdorur gjuhë dhe sjellje kërcënuese nga LVV.

“E konsideroj këtë vendim të paligjshëm dhe tendencioz, me qëllim të krijimit të hapësirës për ushtrimin e ndikimit politik në IPK, institucion ky që tashmë është vlerësuar lartë për profesionalizmin dhe pavarësinë në ushtrimin e misionit ligjor.  Nuk jam e befasuar nga ky vendim duke pasur parasysh gjuhën e përdorur dhe sjelljen kërcënuese të eksponentëve të LVV-së në vazhdimësi ndaj meje dhe institucionit”, ka thënë Kelmendi tutje për KALLXO.com.

Madje Kelmendi përmend edhe se është caktuar një ushtrues detyre por që ky vendim është bërë jashtëligjshëm.

“Në emër të vënies në vend të ligjit, vetë autoriteti i cili më ka shkarkuar, jashtëligjshëm ka caktuar një ushtrues detyre i cili nuk është drejtor, situatë kjo e cila është e rregulluar me Ligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës. Unë do të paraqes rastin në Gjykatë për realizimin e të drejtave të mia dhe jam e bindur se drejtësia do të vijë në vend”, ka thënë Kelmendi.

KALLXO.com raportoi sot se ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla ka shkarkuar nga detyra kryeshefen e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi.

Sveçla përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se Kelmendi është shkarkuar pas analizave të gjetjeve nga dy raporte: Raporti me rekomandime për Mbikëqyrje të zbatimit të ligjit për IPK-në, hartuar nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës; dhe Raporti i Auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme të vitit 2018. Po ashtu kam marrë parasysh edhe letrën e rekomandimeve nga Avokati i Popullit Nr. 683/2019 lidhur me çështjen “Agron Hasanaj kundër Inspektoratit Policor të Kosovës”.

Sipas tij në këto raporte konstatohen shkelje të ndryshme në menaxhimin e IPK-së dhe mes tjerash edhe rekomandohet shkarkimi i Kelmendit.