I Mituri Vret të Miturin me Armë Zjarri në Klinë

Një i mitur, i fshatit Grabanicë të Klinës, ka vdekur sot në mëngjes pasi u plagos aksidentalisht me armë zjarri.

Një 13 vjeçar ka qëlluar aksidentalisht një 12 vjeçar me armë zjarri.

12 vjeçari i plagosur ka ndërruar jetë në Emergjencën e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Klinë.

Zyrtari për media në Policinë Rajonale të Pejës, Driton Rugova tha për KALLXO.com se Policia ka marrë informacion se në QMF-në në Klinë një i mitur ka marrë trajtim mjekësor pasi ishte plagosur me armë zjarri.

“Sot rreth orës 10:24 nga emergjenca e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Klinë jemi njoftuar se është dërguar një fëmijë i moshës së mitur. I mituri është dërguar në QMF pas plagëve të marra nga një armë. Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në terren ku më pas mjeku kujdestar ka deklaruar se i mituri është pa shenja jete”, tha Rugova për KALLXO.com.

KALLXO.com kontaktoi edhe me prokuroren kujdestare në Pejë, Zahide Gashi e cila tha se bëhet fjalë për një vrasje aksidentale.

“Po jemi duke u marrë me rastin. Sipas informatave të para që i kemi, kemi të bëjmë më një vrasje aksidentale. Një 13 vjeçar ka vrarë aksidentalisht një 12 vjeçar. Të dy të miturit kanë lidhje familjare mes vete, por është ende herët të flasim për raportet finale shkaku që rasti ka ndodhur para 2-3 ore dhe ende është duke u hetuar”, tha Gashi.