Foto: Kallxo.com

I akuzuari për krime lufte nuk sillet në gjykatë

Gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Skender Bislimi, ka dështuar për shkak se i njëjti nuk është sjellë nga qendra e paraburgimit në gjykatore.

Deri më tani nuk dihen arsyet se pse ky i akuzuar nuk u soll në Gjykatë, ndonëse sipas burimeve të KALLXO.com për sjelljen e të akuzuarit në Gjykatë ka pasur urdhëresë të posaçme nga Gjykata.

Në mungesë të kushteve për mbajtje të shqyrtimit gjyqësor, seanca e planifikuar të mbahej ditën e mërkurë u shty për një datë tjetër.

Prokuroria e EULEX-it pretendon se Bislimi së bashku me dhjetë persona të tjerë ngritën një pikë kontrolli në udhëkryqin e Fushë-Kosovës, ku maltretuan shqiptarët të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre tri ditë pasi NATO nisi fushatën e bombardimeve.

Sipas prokurorisë ka prova të mjaftueshme se Bislimi ishte së bashku me paramilitarët e tjerë kur u arrestuan Bujar e Haki Bajrami.

Sipas prokurorit, Bujar Bajrami kishte pasur fat pasi ishte njohur nga shoferi i automjetit – një fqinj i tij serb dhe ishte lënë i lirë. Fatin e njëjtë nuk e kishte Haki Bajrami, trupi i të cilit u gjet në një varrezë masive në Dragodan pas luftës.

Skender Bislimi, ish-pjesëtar i dyshuar i forcave paraushtarake të akuzuara për krime lufte gjatë dëbimit të banorëve të Fushë-Kosovës, është deklaruar i pafajshëm për pretendimet se ai ka gisht në vrasjen e shqiptarëve dhe keqtrajtimin e tyre.

Skender Bislimi është i ekstraduar në Kosovë nga Mali i Zi.

Për krimet në Fushë-Kosovë për të cilat akuzohet Bislimi deri më tani gjykata ka dënuar një person, Ivan Radivojeviq, me 8 vjet burgim për këto ngjarje.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari në bashkëkryerje me tani të gjykuarin Ivan Radivojeviq, kanë qenë pjesëtarë të një grupi paraushtarak serb, i cili në datën 26 mars të vitit 1999 te Stacioni i Autobusëve në Fushë-Kosovë kanë rrethuar civilët shqiptarë, kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat dhe kanë filluar t’i rrahin e torturojnë burrat.

Gjithnjë sipas pretendimeve të Prokurorisë, disa prej burrave me forcë janë detyruar të hipin në një automjet ushtarak dhe pastaj janë dërguar në drejtim të panjohur.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar nga ky proces gjyqësor.