Foto: Facebook/ Lëvizja Vetëvendosje

Kurti: I vetmi vendim i mirë i Qeverisë Haradinaj sivjet ishte dorëheqja

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në mbledhjen e 39-të të Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij ka thënë se nuk ka arritur të veçojë ngjarje e vendime të rëndësishme gjatë këtij viti nga Qeveria Haradinaj.

“2019, një vit pa ngjarje të rëndësishme, pa suksese, pa rezultate… I vetmi vendim i mirë i kësaj Qeverie që shkoi sivjet ishte dorëheqja e në korrik, që i hapi rrugë ndryshimit të madh më 6 tetor”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, ashtu sikur viti i kaluar, edhe ky vit i karakterizua me vendime të dëmshme dhe shpenzime të pakontrolluara, shpërdorim të taksave të qytetarëve për dreka e darka, udhëtime e relaksime, të një qeverie të stërmbushur me militantë e familjarë.

“Asnjë investim strategjik, asnjë investim i huaj, asnjë arritje në politikën e jashtme apo në agjendën e integrimeve europiane. Asnjë rezultat nuk u shënua në edukim e në shëndetësi, asnjë rezultat në zbutjen e papunësisë dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik. Asnjë rezultat në fushën e energjisë dhe rritjen e pavarësisë energjetike. Pa rezultate në fushën e bujqësisë dhe rritjes së produktivitetit. Pa rezultate në uljen e deficitit tregtar apo të ndaljes së trendit të rritjes së borxhit publik”, tha Kurti.

Sipas Albin Kurtit, zhvillimet në sektorin e drejtësisë ishin shumë brengosëse e aspak shpresëdhënëse.

Kurti: Datën e formimit të Qeverisë nuk ma përcakton presidenti, por LDK-ja