Hyseni: Asnjë Kosovar Nuk ka Shkuar në Siri qe Nëntë Muaj

Kosova tashmë i ka plotësuar kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, tha sot ministri i brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni pas një takimi me homologun e tij nga landi gjerman i Mecklenburgut, Lorenz Caffier.

Ai shtoi se liberalizimi i vizave është nevojë e domosdoshme e kosovarëve pasi që janë të fundit që kanë mbetur në Ballkan pa të drejtë lëvizjeje të lirë në zonën Shëngen.

“E them me keqardhje, edhe pse mund të tingëllojë pak ironike fatkeqësisht, kosovarët duke qenë populli më pro -evropian  kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza vetëm në drejtim të lindjes dhe jo në drejtim të Evropës, kjo gjendje është paradoksale dhe nuk do duhet të vazhdonte”, tha Hyseni.

Duke folur para mysafirit gjerman për punën e MPB-së, ministri tha se përkundër faktit se Kosova para një viti e gjysmë ishte një nga vendet që jepte një numër të madh të luftëtarëve të huaj.

Por, sipas tij, tani situata ka ndryshuar.

“Për një periudhë shumë të shkurtër, masat dhe veprimet që i ka bërë Kosova si shtet, ka bërë që të kemi sot një situatë ku thuajse është muaji i nëntë që Kosova nuk ka shënuar asnjë rast të vetëm të shkuarjes në Siri për të luftuar për të ashtuquajturin ‘Shtet Islamik’”, tha Hyseni.

Ministri i Brendshëm i Landit të Mecklenburgut duke folur për fluksin e emigrantëve kosovarë të vitit të kaluar, tha se ka pasur përkrahje shumë të madhe nga pala kosovare në përballje me këtë situatë.

“I jam shumë mirënjohës Republikës së Kosovës pasi që në disa faza gjendet ende në shtet-ndërtim dhe përpos sfidave tjera që i ka, na ka siguruar përkrahjen e saj të plotë”, tha Caffier.

Ai shtoi se për Kosovën është e rëndësishme siguria e brendshme dhe për një gjë të tillë “Kosovës i nevojitet anëtarësimi në INTERPOL dhe EUROPOL”, gjë të cilën Ministri Caffier tha se e do të krijonte mekanizma ndërshtetërorë për luftimin e fenomeneve kriminale dhe negative.

“Në Evropë duhet të bashkëpunojmë duhet të luftojmë këto fenomene si një njësi për shkak se kriminaliteti nuk njeh kufi dhe na nevojiten mekanizma ndërshtetërorë”, tha Caffier.