Albulena Haxhiu në #DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Haxhiu: Jam Krenare që Ndalëm Marrëveshjet

Në deklarimin e saj në gjykatë deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu tha se është krenare që u bë ndalimi i marrëveshjeve për demarkacionin dhe asociacionin.

“Jam krenare qe kemi arritur t’i ndalim këto dy marrëveshje kaq të dëmshme”, tha Haxhiu.

Ajo më tutje deklaroi se sikur të mos ishin veprimet e atëhershme opozitare “do t’i vuanim pasojat si nga humbja e territorit, ashtu edhe nga bosnjëzimi i Kosovës”.

Haxhiu iu përgjigj edhe një pyetje të Albin Kurtit.

Kurti e pyeti Haxhiun nëse parashihej me marrëveshjen për asociacionin që ai të lidhte marrëveshje me asociacione jashtë vendit dhe a i takon kjo gjë sferës së politikës së jashtme.

Haxhiu kësaj pyetje iu përgjigj me “po”.

Por Haxhiu, sikurse edhe Kurti refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të prokurorit Valdet Gashi.

KALLXO.com vazhdimisht e ka ndjekur gjykimin e sotëm të deputetëve të VV-së.

Albulena Haxhiu bashkë me Donika Kadaj-Bujupin, Faton Topallin dhe Albin Kurtin po akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.