Donald Trump. Foto: Facebook

Hashim Thaçi Uron Donald Trumpin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e uroi sot Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për fitoren në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën dje.

Në urimin e vet, Thaçi ka thënë se miqësia e përhershme Kosovë- ShBA do të vazhdojë.

“Në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës i uroj presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe mandat të suksesshëm në realizimin e prioriteteve të popullit amerikan”, thuhet në urimin e Thaçit.

“Duke qenë i vetëdijshëm për rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në arenën ndërkombëtare, jam i bindur se presidenti i zgjedhur, me përgjegjësinë më të lartë, do t’i adresojë sfidat e shumta në nivel global”, shtoi Presidenti i Kosovës.

“Miqësia e përhershme ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë është bazamenti mbi të cilin do ta vazhdojmë thellimin e bashkëpunimit dypalësh”, tha ai.

Thaçi ka folur edhe për rivalen e Trumpit në garën për Shtëpinë e Bardhë, Hillary Clinton, e cila humbi në këto zgjedhje.

“Sekretares Clinton i jemi përgjithmonë mirënjohës për mbështetjen e saj të vazhdueshme për popullin dhe shtetin e Kosovës”, tha Presidenti Thaçi.

Muajin e kaluar, në një intervistë për “Jeta në Kosovë”, Thaçi u shpreh në favor të Clinton në garën për Presidnet të ShBA-ve.

http://kallxo.com/hashim-thaci-clinton-apo-trump/