Haradinaj Pritet Sonte në Prishtinë

Sipas zëdhënësit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, Haradinaj pritet të vijë në Kosovë rreth orës 20, ndërsa është duke u organizuar një tubim në sheshet e kryeqytetit.

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, tha për KALLXO.com se lirimi i Haradinajt është lajm i mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Lajmin për lirimin e Ramush Haradinajt është një lajm i mirë jo vetëm për Ramush Haradinaj jo vetëm për familjen e tij, jo veç për AAK por është një lajm i mirë për Kosovën dhe qytetarët e vet”, tha Nitaj.

Ai shtoi se Kosova “ka armiq të fortë të cilët bëjnë gjithçka që drejtësia të ngulfatet”.

“Është një lajm i mirë se realisht Kosova sa do të fortë i ka armiqtë e vet është e pamundur që të ngulfatet drejtësia dhe ajo të mos bie në vend. E kanë munduar për 4 muaj ai po lirohet është marrë vendimi ai sot do të vijë në Prishtinë”, shtoi ai.

Nitaj për KALLXO.com tha edhe se Ramush Haradinaj me të ardhur në Kosovë do të pritet nga qytetarët e saj në një mënyrë madhështore.

“Sonte në momentin që mbërrin në Prishtinë besoj se do të vijë rreth orës 20:00 do të ketë një pritje madhështore në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku ai do t’u drejtohet qytetarëve të vendit”, tha më tutje ai.

Ai ndalimin e Haradinajt në Francë e cilëson si abuzim me drejtësi.

“Absolutisht e kemi thënë disa herë ka qenë abuzim me drejtësinë ka qenë një kërkesë politike e Serbisë me qëllim për ta stabilizuar Kosovën, autoritetet e Serbisë kanë bërë përpjekje që ta vënë në lajthitje edhe sistemin francez  por po duket se vlerat e demokracisë perëndimore janë tjera dhe realisht kjo nuk është rritur”, shtoi Nitaj.

“Serbia përpiqet vazhdimisht që ta destabilizoj Kosovës por ajo dështoi edhe sot”, shtoi ai.

Haradinaj u ndalua nga autoritetet e Francës më 4 janar në bazë të një fletarrestim të INMTERPOL-it të lëshuar nga Serbia.

Ai qëndroi në këtë shtet deri sot, pasi nuk kishte të drejtë ta lëshojë Francën derisa të merrej vendimi për kërkesën ekstraduese të Serbisë.