Konferencë për media, 29.05.2019. Foto: KALLXO.com

Haradinaj pranon Raportin e Progresit: Taksa ndaj Serbisë s’hiqet deri në njohje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, edhe një herë ka ritheksuar se taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake nuk do të largohet, pavarësisht që ky vendim u kritikua sot nga Raporti i Progresit për vitin 2019.

“Mendoj se është koha edhe Serbia edhe Kosova të deklarohen nëse janë të gatshme për një marrëveshje për njohje, në këtë rast do të zgjidheshin krejt temat, edhe taksa edhe të gjitha. Nëse nuk ka gatishmëri për njohje reciproke me kufijtë ekzistues atëherë vazhdojmë taksën”, tha Haradinaj pas takimit me shefen e Zyrës së BE-së, në Kosovë, Nataliya Apostolova, nga e cila pranoi me Raportin e Progresit të hartuar nga Komisioni Europian.

Ndërsa, sa i përket numrit të zëvendësministrave që po ashtu u përmend në raport, kryeministri para mediave tha se është çështje ditësh kur Ligji për Qeverinë do të diskutohet në Kuvendin e Kosovës.

“Ky ligj do ta rregullojë për çdo qeveri që vjen jo vetëm për këtë të tashmen dhe kjo do ta rregullojë çështjen e strukturimit të ekzekutivit”, tha Haradinaj.

Ndërsa, për Raportin e Progresit shefi i Qeverisë thotë se është i përzier, me kritika e fjalë të mira.

“Ne pasi e morëm raportin do t’i bëjmë një analizë të mirëfilltë dhe me fillimin e javës së ardhshme do ta mbledhim këshillin ndërministror bashkë me ministrat që t’i zgjedhim detyrat e shtëpisë dhe do të japim përgjigje. Ky raport me gjetjet ka diçka të mirë, është i përzier, ka kritika për taksën megjithatë tregon të arriturat dhe sfidat që ka Kosova”, tha tutje Haradinaj.

Kurse shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se në këtë Raport janë bërë analiza në sektorë të ndryshëm. Sipas saj në disa ka përmirësime por duhet ende punë në disa të tjera.

“Ne në këtë dokument kemi bërë analiza në sektorë të ndryshme se ku gjendet Kosova dhe ka bërë progres në disa fusha siç janë: Në qeverisje ose Administratë Publike, në Statistika e në sundim të ligjit dhe luftës së korrupsionit mirëpo edhe fushat e tjera duhet të përmirësohen më shpejt siç është arsimi, përmirësimi mjedisor etj”, tha Apostolova.

Në këtë konferencë për media foli edhe ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha.

Ajo tha se në këtë Raport konfirmohet prapë që Kosova ka plotësuar kriteret dhe u bëri thirrje shteteve europiane të kenë një vendimmarrje për lëvizjen e lirë.

Komisioni Europian sot ka publikuar Raportin e Progresit për vitin 2019, për vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Europian, duke mos lënë anash as Kosovën.

Në Raport është kritikuar tarifa 100% ndaj mallrave serbe dhe boshnjake si dhe numri i madh i zëvendësministrave në Qeverinë e Kosovës.