Haradinaj Përsëri Lut Amerikën për Ndihmë

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj si dje në Pejë, edhe sot në Malishevë kërkoi ndihmën e Amerikës rreth kundërshtimit të marrëveshjeve.

“Ne e kemi mik Amerikën dhe e lusim mikun të na ndihmojë edhe sot,” tha Ramush Haradinaj në manifestimin opozitar të Malishevës.

Haradinaj ndihmën e Amerikës për kundërshtimin e marrëveshjeve të 25 e 26 gushtit për asociacionin dhe demarkacionin e kërkoi edhe dje, kur opozita u mblodh në Pejë.

“Amerikës prej këtu i themi, prej Dukagjinit dhe prej Kosovës, ne të duam, na të kemi mik, na të dëgjojmë, të nderojmë. Por të lutem ndihmona t’i ndalojmë këto marrëveshje të padrejta për Kosovën. Këto marrëveshje duhet të ndalohen,” tha dje Haradinaj.

Përveç Haradinajt, të pranishmëve në Sheshin “Adem Jashari” të Malishevës iu drejtuan edhe krerët e “Vetëvendosjes dhe Nismës Visar Ymeri e fatmir Limaj dhe kryetari i kësaj komune Ragip Begaj.

Ymeri fjalimin e lidhji me sheshin ku qëndronin manifestuesit.

“Jemi ne Sheshin ‘Adem Jashari’ në Malisheve, për t’i thënë se bac nuk u krye ende, por Isa dhe Hashimi po thonë se Vuçici kështu po kërkon, por këto projekte nuk do të kalojnë,”tha Visar Ymeri.

Ai ua tha të mbledhurve mendimin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe.

“’Zajednica’ nënkupton një shtet brenda shtetit të Kosovës, madje më të fortë se shteti i Kosovës. Për këtë ‘zajednica’ nuk kalon se na len pa bukë, pa punë, pa shtet,” tha Ymeri.

Lideri i Nismës Fatmir Limaj përmendi deputetët e burgosur të opozitës.

Sot jetojmë në një shtet ku gjysma e opozitës janë të burgosur, ku policia keqpërdoret nga shteti dhe sulmon përfaqësuesit e popullit,” tha Limaj.

Kryetari i Malishevës Ragip Begaj tha se të gjitha luftërat bëhen për tokë.

“Lufta nuk është bë asnjëherë për njerëz, por është bërë për tokë, ndërsa qeveritaret tonë po ja falin 9 mijë hektarë Malit të Zi,” tha Begaj.

Pas fjalimeve, manifestimi përfundoi me thirrjen për pjesëmarrje në tubimin opozitar në Prishtinë më 9 janar.

13:12

Mbërrijnë në Malishevë Liderët Opozitarë

Liderët e partive opozitare i janë bashkuar manifestimit në Malishevë

13:07

Vonohen Liderët e Opozitës

Në tubimin e Malishevës të paraparë për orën 13:00 ende nuk kanë ardhur liderët e subjekteve opozitare.

Sheshi “Adem Jashari” ka filluar të mbushet me opozitarët që do të manifestojnë.

Sipas gazetarit të KALLXO.com në manifestim ka edhe nxënës me çanta në krahë.

12:57

Nis Grumbullimi i Opozitarëve në Malishevë

Në Malishevë nisi grumbullimi i manifestuesve të opozitës.

Manifestimi ku do të kundërshtohen marrëveshjet e 25 e 26 gushtit për asociacionin e demarkacionit do të mbahet në Sheshin “Adem Jashari”.

Aty kanë nisur të grumbullohen ata që do të kundërshtojnë këto marrëveshje.

Tubime të ngjashme opozita nisi më 28 nëntor në Prishtinë, për të vazhduar më pas në Gjakovë e Gjilan.