Si festohej në Amerikën e shekullit të 18-të?

A e keni pyetur ndonjëherë veten se si festohej në Amerikën e shekullit të 18-të?

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Saqib Ul Islam vizitoi Mount Vernon, shtëpia e presidentit të parë të Amerikës, George Washington. Në këtë vend historik, një ndër më të vizituarit në Shtetet e Bashkuara, traditat e festimeve të viteve 1770 ruhen.

Në një mbrëmje të freskët dhjetori, ndërsa dielli perëndon pas Mount Vernon, presidenti i parë i Amerikës, gjenerali Xhorxh Uashington, përgatitet të përshëndesë vizitorët për festat në shtëpinë e tij.

Kjo rezidencë është ruajtur për të pasqyruar Virxhinian e shekullit të 18-të. Ishte vendi ku presidenti i parë dhe zonja e parë kalonin kohë me familjen gjatë festave.

“Do të takoni miq të veshur si atëherë, interpretues personazhesh, që përshkruajnë jetën në vitin 1773 dhe bisedojnp për atë që mund të flisnin njerëzit gjatë asaj kohe. Dhe ne po e bëjmë këtë për të nderuar atë përvojë deri në 250 vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Aktorët që portretizojnë presidentin dhe familjen e tij, miqtë dhe personelin e tij, rikrijojnë historitë e Krishtlindjeve të kaluara. “Shumë e veçantë të jesh këtu në Mount Vernon dhe të vishesh si në shekullin e 18-të.”

Vizitorët mund të shohin një treg dimëror ku shitësit ofrojnë mallra dhe artikuj të punuar me dorë dhe sodisin “Aladinin”, një deve që Uashingtoni e solli në Mount Vernon për të argëtuar të ftuarit e tij.

“Kjo është diçka që nuk mund ta bësh shpesh. Mund të lexosh libra dhe përshkrime të ngjarjeve të asaj kohe, por nuk mund të jetosh shpesh një pjesë të saj.”

Për pjesën më të madhe të vitit, vizitorët nuk e shohin dot rezidencën në mbrëmje, e cila zakonisht mbyllet para perëndimit të diellit. Por në sezonin e festave ka veprimtari në mbrëmje.

“Kjo është hera jonë e dytë këtu. Ne thjesht shijojmë fishekzjarrët, atmosferën festive, të Krishtlindjeve. Gëzuar Krishtlindjet!”

Nata përfundon me përshëndetjet e festave nga Xhorxh dhe Martha Uashington dhe fishekzjarre mahnitëse.

“Dëshira ime për vendin tim është që ata të kujtojnë gjithmonë se janë të gjithë amerikanë dhe ta shohin veten si pjesë e një eksperimenti të vazhdueshëm për qeverisje nga popullori që mund të ketë sukses vetëm nëse të gjithë e konsiderojmë njëri-tjetrin si pjesë të të njëjtit bashkim.”

Mount Vernon është i hapur 365 ditë në vit, përfshirë ditën e Krishtlindjes/VoA/.