Haradinaj ‘Legjitimon’ Gazin Lotsjellës: Ka Pasur Efekte të Mira për Vendin

Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj ka reaguar sot pas arrestimit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë se kundërshtimet e atëhershme të opozitës kanë qenë veprime politike dhe nuk kanë qenë veprime kundër rendit dhe ligjit.

“Kundërshtimi ka qenë politik dhe është pastër politik, pra nuk ka qenë sulm në rend dhe ligj”, ka thënë Haradinaj pas përfundimit të seancës se Kuvendit të Kosovës në një prononcim për media.

Kryeministri Haradinaj e vlerëson se veprimet e atëhershme të opozitës kanë pasur efekte të mira për vendin.

“E vërteta është se kundërshtimi i marrëveshjeve të cilat kanë qenë dhe mbesin rrezik për Kosovës është qëndrim politik, të cilin Aleanca, edhe unë edhe kolegët e mi deputet kemi marrë pjesë dhe mendojmë se ai veprim i atëhershme ka sjellë efekte të mira për vendin”, tha Haradinaj.

Megjithatë Haradinaj thotë se deputetët nuk kanë pse të mos paraqiten në Polici e Gjykatë.

“Unë mendoj që deputetë që kanë pas kurajën dhe vetëdijen me kundërshtuar, nuk kanë pse mos me u paraqit në polici e gjykatë se ata s’kanë bërë kurrgjë që meriton me u fshehë. Është mirë me u përgjigje me i dhanë ato shpjegime se besojnë në to, pa prediku në epilog se s’du me u kyç, por të gjithë e kemi bërë me vetëdije kundërshtimin e temave”, tha në mes tjerash Haradinaj.

Sot gjatë ditës Policia e Kosovës ka arrestuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiun dhe Donika Kadajn Bujupin. Kjo e fundit ka qenë pjesë e grupit parlamentar të AAK-së në kohën kur deputetet e opozitës kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

http://kallxo.com/arrestohet-albin-kurti-2/

Edhe ish deputeti Pal Lekaj ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend gjatë kohës së kundërshtimit të opozitës së bashkuar kundër marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe Asociacionit të Komunave Serbe

http://kallxo.com/pal-lekaj-ne-prokurori-per-lotsjellesin-ne-kuvend/

Madje Lekaj kishte deklaruar se opozita ka mjaftueshëm gaz lotsjellës.

http://kallxo.com/pal-lekaj-kemi-gaz-te-mjaftueshem/