Kryeministri Haradinaj në seancën e Kuvendit.

Haradinaj - LDK-së: Merrni përgjegjësinë e juaj, mos u fshihni nëpër bira të miut

Deputeti i LDK-së, Korab Sejdiu, tha se mandati kushtetues nuk i jep presidentit të drejtën që të na përfaqësoj në dialog, pa e marrë mandatin prej Kuvendit.

“Këtë mandat nuk e fiton pavarësisht frikës që mundohet me mbjell te qytetarët nëpërmes lajmeve të rrejshme që i instalon në portale e mediume që i shërbejnë atij e atyre në pushtet”, tha Sejdiu.

Ai tha se dialogu kërkon përgatitje të jashtëzakonshme, kërkon përfaqësim prej më të mirëve që mund të ofrojmë.

“Na duhen Majlindat e Kosovës për dialogim politik. E çka bëjmë ne? Neve na përfaqëson presidenti. A vërtet kemi mbetë në atë deregje a nuk po mundemi me gjetë njerëz më të përgatitur e më adekuat me i përfaqësu interesat e Kosovës”, tha Sejdiu.

Sipas tij, Thaçi, ka histori të gjatë dështimesh me dialogun me Serbinë në dekadën e fundit dhe se nuk ka as mandat kushtetues as legjitimitet politik.

Sipas tij që nga rezoluta e vitit 2012, këtë rol e ka ekzekutivi.

Ramush Haradinaj, tha se prej Sejdiut nuk pret gabime profesionale pasi është jurist.

“Lexojeni Kushtetutën pse të gjithë të tjerët zgjedhen më lehtë. Edhe po shkuat në zgjedhje tash, vetëm për qeveri shkoni, se presidentin e keni aty. Presidentin Thaçi e keni dhuratë nga LDK, jo nga unë… Amerikën po e përmend shpesh, lej amerikanët se flasin vetë, ata s’po ndalen përditë tu ardhë në Prishtinë duke thënë mos dështoni. Qeveria do ta përkrahë me seriozitetin më të madh këtë proces. Po ju lus si Parlament që ta merrni edhe ju përgjegjësinë e juaj, mos u fshehni nëpër “bira të miut”, tha Haradinaj.

E Sejdiu replikoi duke kërkuar ta dijë se pse presidentët e tjerë nuk e kishin kompetencën e Thaçit.

“Nëse mundesh me më tregu që nëse ky president e paska atë kompetencë pse nuk e pat Jahjaga, presidenti Pacolli, e Sejdiu që kërrsh ka bërë presidenti aktual në atë kohë duke i thënë se je president ceremonial”, tha Sejdiu.

E Haradinaj përfundoi duke thënë se si parlament mirë është më hy në temë, me marr përgjegjësi, me përgatitë një rezolutë, me autorizu një delegacion të institucioneve, opozitës e eksperteve dhe m’i lajmëru palët që ne jemi të gatshëm me ecë tutje.