
Haradinaj përmend tri objektiva që duhet të arrihen në fazën e parë të implementimit të marrëveshjes kornizë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përmendur tri objektiva që, sipas tij, duhet t’i arrijë Kosova qysh në fazën e parë të implementimit të marrëveshjes kornizë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“E para, ta arrijë partneritetin për paqe si fazë e parë e anëtarësimit në NATO; Të rikthehet në agjendën integruese evropiane, duke e rikthyer edhe procesin e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës, si dhe; Ta rivendosë rendin dhe ligjin në veri dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale atje!” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Kreu i AAK-së ka shtuar se krahas obligimeve të marra, këto duhet të jenë prioritetet e Qeverisë në fazën e parë të implementimit të marrëveshjes së Ohrit.
Sot në një konferencë për media deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se në seancën e ardhshme do të diskutohet për takimin e Ohrit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas deputetes, kryeministri Kurti bëri lojë fjalësh sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kritika ndaj kreut të ekzekutivit ka pasur edhe nga Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK).
Deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mostransparencë rreth takimit të së shtunës në Ohër.
Ndërkaq, kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se të enjten kryeministri Albin Kurti do të flasë në Kuvendin e Kosovës për takimin në Ohër.
Më 18 mars kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, një takim trilateral të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Takimi i Ohrit erdhi pas takimit të 27 shkurtit në të cilin palët ishin dakorduar për Planin e BE-së por nuk kishin nënshkruar ndonjë marrëveshje.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian e ndërmjetëson këtë proces, ndërkaq Shtetet e Bashkuara, ndonëse nuk janë palë në dialog, e mbështesin atë.