Haradinaj gjatë diskutimit kundër ekstremizmit Foto: ZKM

Haradinaj: Kosova është pjesë koalicionit që e lufton ekstremizmin

Kryeministri Ramush Haradinaj, që po qëndron për vizitë në Tiranë, ka marrë pjesë si panelist sot në konferencën me temën “Të bashkuar në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm – Partneriteti për sukses”, në të cilin u diskutua për shumë dimensione të luftës për parandalimin e kësaj dukurie të përmasave globale.

Gjatë fjalës së tij, Haradinaj u shpreh që Kosova është pjesë e kombeve euroatlantike që luftojnë ekstremizmin. Ai ka folur edhe për kosovarët që kanë marrë pjesë në luftërat e huaja dhe për parandalimin që kanë bërë institucionet e Kosovës.

“Kosova është e ndërgjegjshme sa i përket rrezikut të ekstremizmit. Ne si vend i vogël kemi pasur shkuarje në luftëra të huaja, por po ashtu ne kemi parandaluar udhëtimin e disa personave që të shkojnë atje. Problemet dhe lajmet që vijnë nga lufta atje i kanë bërë qytetarët të kuptojnë rrezikun” tha kryeministri Haradinaj.

“Ai tha se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se mund të jenë të përdorur nga terroristët, andaj interesi jonë është që të gjithë së bashku të punojmë edhe me organizatat botërore”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Në përbërje të panelit ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov, si dhe princi i Jordanisë, Ghazi bin Muhammad.