Haradinaj kërkon të shpallet person i padëshirueshëm rusi Mikhail Krasnoshchenkov

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që të shpall person “Non Grata” shtetasin rus, Mikhail Krasnoshchenkov.

“Sot, kam kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të shpallim shtetasin rus z.Mikhail Krasnoshchenkov si person Non Grata”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Haradinaj tha se vendimi hynë në fuqi nga sot ndërsa ka bërë thirrje përfaqësuesit të UNMIK-ut që ta respektoj këtë vendim.

“Vendimi është marrë sot ndaj këtij personi që punon si staf ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, dhe të njëjtit i urdhërohet që ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës. Ky vendim ka hyrë në fuqi, sot nga 31 maj 2019. I bëj thirrje Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të respektojë vendimin”, thuhet në njoftimin e kryeministrit.

Sipas kryeministrit kosovar, vendimi është marrë për shkak të veprimeve të shtetasit rus kundër rendit kushtetues të Kosovës, vlerave universale, paqes dhe stabilitetit.

Ditë më parë, gjatë një aksioni të forcave të rendit në pjesën veriore të Kosovës, u arrestua një shtetas rus nën dyshimin se pengoi aksionin e Policisë së Kosovës.

 

https://kallxo.com/drejtori-i-policise-zyrtari-rus-i-unmik-ut-mori-pjese-ne-barrikada/

.