Foto: ZKM

Haradinaj i thotë Hahn-it: Njohja nga Serbia, parakusht për heqjen e taksës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u takua me Komisionerin Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e 55-të të Sigurisë e cila po i zhvillon punimet e saj në Munich të Gjermanisë.

Zyra për komunikim publik e kryeministrit Haradinaj, ka thënë se ai ka njoftuar komisionerin Hahn për zhvillimet politike në vend dhe përkushtimin e Kosovës që të jetë partnere kredibile e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, nëse nuk i mohohet e drejta për të vepruar si shtet i pavarur dhe sovran.

Ndërkaq, komisionari Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, ka thënë se Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të ndërtojnë relacione të fqinjësisë së mirë.

Haradinaj kishte diskutuar edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, duke përsëritur nevojën e liberalizimit të vizave si një e drejtë që u takon qytetarëve meqenëse Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kushtet dhe se padrejtësisht po mbetet e izoluar.

“Me liberalizimin e vizave u mundësohet qytetarëve, bizneseve, studentëve të lëvizin lirshëm, një e drejtë e mohuar padrejtësisht. Qytetarët e Kosovës, meritojnë lëvizjen e lirë si të gjithë popujt tjerë. Vendi ynë i gëzohet tregut të lirë, jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por në gjithë Ballkanin Perëndimor. I gëzohemi kohës kur nuk do të ketë tarifa, por njëkohësisht respekti dhe njohja reciproke, është parakusht për t’u arritur kjo”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ramush Haradinaj gjithashtu ka thënë se të ketë biseduar me Komisionerin Hahn edhe rreth taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës.

“Vendi ynë i gëzohet tregut të lirë, jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor. I gëzohemi kohës kur nuk do të ketë tarifa, por njëkohësisht respekti dhe njohja reciproke, është parakusht për t’u arritur kjo”, tha Haradinaj.