Haradinaj: Adem Demaçi ishte shenjtori që na tregoi rrugën për liri

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj tha se Adem Demaçi guxoi të luftoi për lirinë.

“Sot një vit bota u nda nga njeriu që guxoi me kriju liri për popullin e tij të robëruar pa fjalën e tij që rrezatonte shpresë, njerëzit vështirë do rreshtoheshin për lëvizjen e rezistencës dhe liria e Kosovë do të ishte vetëm ëndërr”, tha Haradinaj.

Sipas Haradinajt, gjurmët që vepra e Adem Demaçit ka lënë në histori janë shumë të mëdha.

“Atij iu ndalua fjala prandaj jetoi një jetë njeriu për lirinë e saj. I’u shkelën të gjitha të drejtat, por kurrë nuk u ndal të krijoj drejtësi për të tjerët. Baca Adem ishte frymëzuesi. Para një viti Kosova u nda nga njeriu i saj që shkriu 28 vjet të jetës së tij duke e mendu lirinë. Ademi ishte mendimtar 10,000 mijë ditë prapa hekurash nuk i konsideroi të humbura por ditë pune për Kosovë, burgu për idealistin ishte vendi i tij i punës”, tha Haradinaj.

Duke folur për figurën e Adem Demaqit, Haradinaj theksoi se figura e tij, tanimë e bronztë do të shpërbej si udhërrëfyes për brezat e ardhshëm.

“Baca Adem për popullin e tij shenjtor që tregon rrugët se nga duhet me i ra për me e mbërri në liri. Askush si baca Adem nuk ka dhënë shpresë e besim për të gjallët, se liria është e mundshme, e për me kriju duhet me guxu. Baca Adem do të rikthehet në Prishtinë i gdhendur në bronz për tua rrëfyer brezave historinë e sakrificës dhe për t’i mbajtur gjallë shpirtin tonë çlirimtarë”, tha ai

Hidajet Hyseni kryetari i shoqatës së të burgosurve politik tha se sot, figura e Adem Demaçit do të jetë një udhërrëfyes për të gjitha brezat.

“Baca Ddem ka folur edhe kur nuk ka folur dhe tash e tutje do flet edhe në bronz dhe do jap mesazhe siç ka dhënë brez pas brezi dhe do përcjell ata që shkojnë  e vinë në kryeqytet Republikës”, tha ai.

Tutje Hyseni tha që shpresojnë se tenderi për këtë përmendore do të shkojë mirë dhe punimet do të vazhdojnë ashtu siç është planifikuar.

E në anën tjetër Shqiptar Demaçi, djali i veprimtarit të ndjerë Adem Demaçi ka thënë se familja nuk pajtohet me modelin ideor për shtatoren e bacit Adem.

“Ne si familje kërkojmë që modeli i prezantuar në video të mos jetë model ideor për ngritjen e shtatores në këtë formë. Mendojmë që ka zgjidhje shumë më të mira për dukjen e shtatores së bacit Adem”, ka thënë Shqiptar Demaçi.

Vënia e gurthemelit të shtatores është bërë në njëvjetorin e vdekjes së Adem Demacit.