Varret e viktimave të Srebrenicës | Foto: Wikicommons

Hapet në Beograd Gjykimi i Parë Serb për Srebrenicën

Çështja e parë që po ndiqet penalisht në Serbi në lidhje me masakrat e Srebrenicës të vitit 1995 filloi në Gjykatën Speciale të Beogradit ditën e hënë, pasi gjyqtarët refuzuan një tjetër shtyrje të procedurave gjyqësore.

Tetë ish-anëtarë të një njësie të policisë speciale serbe të Bosnjës dolën në gjyq të akuzuar për organizimin dhe pjesëmarrjen në vrasjen e më shumë se 1,300 civilëve në një depo bujqësore në fshatin Kravicë afër Srebrenicës në korrik 1995.

Nedeljko Milidragoviq, Aleksa Golijanin, Milivoje Batinica, Aleksandar Daçeviq, Bora Miletiq, Jovan Petroviq, Dragomir Paroviq dhe Vidosav Vasiq akuzohen se kanë kryer krime lufte, duke vrarë të burgosurit boshnjakë të kapur pas rënies së Srebrenicës në duart e forcave serbe të Bosnjës.

Gjyqi duhet të fillonte në dhjetor, por u shty pasi avokatët e mbrojtjes nisën një sfidë, duke bërë që grupet e viktimave të Srebrenicës të kërcënonin me protesta nëse gjyqi nuk vazhdonte së shpejti.

Të hënën, njëri prej avokatëve të burrave të akuzuar kërkoi një tjetër shtyrje të seancës, duke pretenduar se dëshmitarët e mbrojtur nuk kishin të pranishëm avokatët e tyre ndërsa jepnin deklaratat, duke i bërë kështu provat e tyre të paligjshme.

“Është e qartë për të gjithë se vlerat e këtyre provave janë vënë gabim dhe nuk mund të pranohen nga gjykata,” tha avokati mbrojtës Miroslav Petkoviq, sipas një raporti të Associated Press.

Vrasjet në magazinën në Kravisa ishin ndër masakrat e shumta të kryera nga forcat e Ushtrisë Serbe të Bosnjës pas rënies së Srebrenicës në korrik 1995, ku mbetën të vrarë 7,000 burra dhe djem boshnjakë.

Deri më tani janë identifikuar më shumë se 1,300 civilë të cilët u masakruan në Kravica. Trupat e tyre u gjetën në disa varre masive në Bosnje dhe Hercegovinë.

Prokuroria boshnjake më parë ngriti akuza për gjenocid kundër Milidragoviqit dhe Golijaninit, por nuk mundi t’i arrestonte ata, sepse kanë jetuar në Serbi që prej përfundimit të luftës në Bosnjë në vitin 1995.

Pasi Serbia dhe Bosnja nënshkruan një protokoll për bashkëpunim në krimet e luftës në vitin 2013, provat nga prokuroria boshnjake u transferuan në Beograd.

Sipas akuzave të ngritura nga prokuroria e Bosnjës, Milidragoviq, një ish-komandant i një skuadre nga Qendra e Trajnimit Jahorina e policisë speciale serbe të Bosnjë, dhe Golijanin, një ish zv/komandant i një skuadre të Qendrës së Trajnimit Jahorina, kryen gjenocid kundër boshnjakëve nga Srebrenica midis 10 dhe 19 korrikut 1995.

Megjithatë, prokuroria serbe tha se nuk mund të vërtetonte akuzat për gjenocid të ngritura nga prokurorët boshnjakë dhe në vend të kësaj i akuzoi burrat për kryerjen e një krimi lufte.