Grantet, Radhë të Gjata të Aplikuesve në Ditën e Fundit

E marta ishte dita e fundit kur fermerët kosovarë mund të aplikonin për të përfituar grante për bujqësi të ofruara nga Ministria e Bujqësisë. Por, kishte prej tyre që edhe nuk arritën të aplikojnë për shkak të radhëve të gjata të krijuara para zyrave ku duhej t’i dorëzonin dokumentet e nevojshme.

Njëri prej tyre është Zenel Peshku nga Barileva, i cili tha për KALLXO.com se është duke pritur që nga e premtja për të dorëzuar dokumentet.

“S’janë plotësuar bash mirë dokumentet. Edhe të premten kemi ardhur. Dhe të premten ka qenë një mosmarrëveshje këtu. Jemi shënuar në listë edhe ato lista i kishin shqyer… Dje kemi ardhur në ora 5:00, lista u bë 76, sot jemi ardhë në rend”, thotë ai.

Agron Berisha, nga fshati Dranoc, thotë se është hera e parë që po aplikon për grant, mirëpo për shkak të rregullimit të dokumenteve ai po pret që një javë që t’i dorëzojë.

“Po pres që një javë. Në bazë të kritereve qe kanë qenë është dashtë me nxjerr shumë dokumente nëpër komuna, dokumente të tokës e gjitha këto çka është dashtë, për shkak se me qenë fitues i grantit duhet m’i pasë goxha do punë që janë me rëndësi m’i krye”, tha ai për KALLXO.com.

Berisha tha se procesi po shkon ngadalë dhe nuk beson që sot do të arrijë t’i dorëzojë dokumentet. “Nuk besoj që ka me më ardhë rendi. Veç besoj qe e shtyjnë edhe naj ditë se shumë vështirë është. Numri është shumë i madh”, thotë ai. [interaction id=”5703dbcc5ac3fae67aee6cf2″]

Ai thotë që nëse nuk arrijnë që edhe sot t’i dorëzojnë këto dokumente do të kërkojnë që të shtyhet afati i dorëzimit të tyre.

Të njëjtin problem e ka edhe Bekim Ismaili nga Prishtina, i cili thotë se është hera e parë që po aplikon për përfitim të grantit. Edhe ai është duke pritur që nga dita e premte që t’i dorëzojë dokumentet.

“Jemi ardhë të premten edhe sen s’kemi mujtë me bo. Të premten është bë njëfarë rregulli me numra dhe prej dje jemi duke punuar me ata numra“, thotë ai.

Bekimi thotë që nëse nuk arrin t’i dorëzojë sot do të provojë përsëri herën e ardhshme.

“Tash është numri 74-75. Unë jam 114. Dje krejt ditën janë punuar 56. Gjithsej  janë mbi 230 a 240  që janë në listë duke pritë”, shprehet ai.

Për shkak se është fermer i ri, Bekim Ismaili thotë se i është dashur kohë  për të rregulluar dokumentet e nevojshme.

“Unë jam fermer i ri. Me plot sende është dashtë m’u njoftu. Dhe plot dokumente nuk janë varë prej meje. Kam hequr deri sa i kemi kompletuar ne vende te ndryshme”, thotë ai.

Ndërsa, Shkëlzen Dragaj, zëdhënës i Ministrisë së Bujqësisë tha për KALLXO.com se nuk do të ketë shtyrje të afatit për grante.

“Ata që kanë pasë m’i dorëzu dokumentet për përfitim të granteve kanë pasur afat deri sot dhe nuk do të ketë afat shtesë apo shtyrje të afatit për dorëzim të këtyre dokumenteve”, theksoi Dragaj.

Ai shtoi se ende nuk kanë një numër përfundimtar se sa ka qenë numri i aplikuesve  për përfitim të granteve. “Nuk kemi ndonjë numër përfundimtar për arsye se procesi po vazhdon ende”, tha ai.