Gjykimi përvetësim në detyrë - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për përvetësimin e mbi 10 mijë eurove, kërkohet ekspertizë grafologjike

Në gjykimin për përvetësim në detyrë për çka po akuzohet Natyra Leka, mbrojtja e të dëmtuarit ka kërkuar ekspertizë grafologjike për të kontrolluar nënshkrimet në dëftesa.

“ Konsideroj se është e nevojshme që të gjitha dëftesat për të cilat eksperti ka konsideruar se mungojnë nënshkrimet e dorëzuesit dhe pranuesit, e për të cilat e akuzuara mohon se në të njëjtat është nënshkrimi i saj, t’i nënshtrohen ekspertizës grafologjike“, deklaroi avokati Ali Beka.

Kërkesa e tij mori përkrahje edhe nga mbrojtësi i të akuzuarës Natyra Leka, avokati Mentor Neziri.

“Nuk e kundërshtojmë kërkesën e palës mbrojtëse dhe se për t’i hequr të gjitha dilemat kërkoj që ekspertizës t’i nënshtrohen të gjitha dëftesat në mënyrë që ekspertiza të jetë më e saktë”, deklaroi avokati Neziri.

Pas kësaj kërkese trupi gjykues në përbërje prej Hamdi Ibrahimit, Naser Foniqit dhe Vehbi Kashtanjevës mori aktvendim me të cilin e aprovoi ekspertizën grafologjike dhe shtyu seancën për një kohë të pacaktuar.

Prokuroria e akuzon Natyra Lekën se në cilësinë e personit zyrtar për vete ka përvetësuar pasurinë që i është besuar për shkak të detyrës si kontabiliste në kompaninë “Alma“, SH.P.K, kjo pasi që nuk e kishte dorëzuar rregullisht pazarin ditor duke i shkaktuar dëm në vlerë prej 10.360 euro.