Gjykimi për kërcënimin e rreshterit policor | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Kërcënimin e Rreshterit Policor

Seanca kundër Ismet Avdullahut, të akuzuarit për kanosje të rreshterit policor Reshat Aliu dhe armëmbajtje pa leje nuk u zhvillua, ngase mungoi i akuzuari Besim Ramabaja.

Ramabaja në këtë proces gjyqësor akuzohet për përdorim të armës, lëndim të lehtë trupor dhe armëmbajtje pa leje, të cilat vepra, sipas prokurorisë i ka kryer ndaj të dëmtuart Liridon Leci

Në hapje të këtij shqyrtimi gjyqësor kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti pasi që konfirmoi pjesëmarrjen e palëve në procedurë, konstatoi se i akuzuari për tri vepra penale Besim Ramabaja nuk është paraqitur pranë gjykatës, me ç’rast deklaroi se përkundër përpjekjeve as policia nuk ka informacione mbi vendndodhjen e këtij të akuzuari.

As avokati Haxhi Millaku nuk e dinte ku ndodhhej i mbrojturi i tij Ramabaja.

Por Millaku kërkoi shtyrje të gjykimit, duke u zotuar se do ta kontaktojë të mbrojturin e tij dhe do ta bindë për pranim fajësie.

“Të jem i sinqertë nuk kam informacion se ku gjendet, nuk kam mundur të kontaktoj me të. Na jepni edhe një rast që unë me klientin tim të vijmë dhe ta formësojmë fajësinë dhe kështu mendojmë që do të jemi më ekspeditivë” tha avokati Millaku në kërkesën e tij drejtuar kryetarit të trupit gjykues për shtyrje të shqyrtimit gjyqësor.

Kjo kërkesë e avokatit u mor për bazë nga kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti, i cili aprovoi kërkesën e mbrojtjes dhe kështu caktoi seancën e radhës për datën 26 janar.

Ismet Abdullahu nga ana e prokurorisë po akuzohet të ketë kryer veprat penale të armëmbajtjes pa leje si dhe kanosjes.

Sipas aktakuzës, Ismet Abdullahut në janar të vitit 2015 në lagjen Ulpiana në pjesën e sipërme të parkingut “Infinit”, ka poseduar pa lejen e organeve kompetente armën tani për tani të panjohur të cilën armë ia kishte vërejtur rreshteri i policisë Reshat Aliu.

Në aktakuzë thuhet se arma nuk kishte arritur t’i konfiskohej Abdullahut nga policia, por të njëjtit i ishin konfiskuar katër fishekë specialë të armës.

Tutje në aktakuzë konstatohet se i akuzuari me qëllim të shkaktimit të frikës në mars të vitit 2015 në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë, ka kanosur të dëmtuarin rreshterin policor Reshat Aliu me fjalët “edhe 10 vite mbajëm në burg se nuk ta jap atë allti dhe ke kujdes mos gabo me e qit në letër që ke parë nojsend”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari tjetër Besim Ramabaja në mars të vitit 2015 në Lagjen Ulpiana në pjesën e sipërme të parkingut “Infinit”, i mllefosur për shkak se i dëmtuari Liridon Geci ishte fjalosur me Naime Avdylin, bashkëshorten e tashmë të akuzuarit në lidhje me një vendparking, i njëjti me qëllim të shkaktimit të lëndimit trupor, me kondak të revoles e ka goditur të dëmtuarin në kokë duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Armën- pistoletë të zezë të tipit “Ekol Special” me të cilën Ramabaja akuzohet se e goditi Gecin, i akuzuari, sipas prokurorisë e kishte pa leje.

Aktakuza sqaron se edhe gjatë kontrollit në shtëpi, Ramabajës iu gjetën dhe konfiskuan armë të tjera- një pushkë gjuetie, tri saçme të pushkës së gjuetisë, si 56 fishekë të kalibrit 7.62mm.