Gjyqtari Avni Mehmeti - Foto: KALLXO.com

Gjykata shpall aktgjykim refuzues ndaj të pandehurit për narkotikë

Gjykata në Mitrovicë ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit për veprën penale – posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, Halil Jonuzi.

Para se gjyqtari Avni Mehmeti të shpallte aktgjykimin prokurorja e rastit, Fetije Bajrami-Shala, ka hequr dorë nga aktakuza me të cilën ngarkohej i akuzuari Jonuzi.

I akuzuari Halil Jonuzi ngarkohej me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe e substancave psikotropike”, nga neni 229 i KPK-së, por prokurorja Bajrami-Shala, bëri precizim dhe rikualifikim të veprës penale, ashtu që të akuzuarin në fjalë e ngarkoi vetëm për posedim të narkotikëve, përkatësisht me veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 275 paragrafi 1 të KPRK-së.

Prokurorja e rastit deklaroi se pasi që është bërë rikualifikimi i veprës penale dhe meqë sipas saj vepra është kryer më 18 mars 2012, ka arritur parashkrimi absolut, me ç’rast nga këto arsye tha se tërhiqet nga ndjekja e mëtejme penale dhe aktakuza për të akuzuarin Halil Jonuzi.

Gjykatësi Avni Mehmeti ka thënë se duke marrë parasysh se prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale, në mungesë të aktakuzës ka konstatuar se kjo çështje ka përfunduar në tërësi.

Mehmeti në shpalljen e aktgjykimit tha se Gjykata Themelore e Mitrovicës merr aktgjykim refuzues në këtë rast, duke urdhëruar konfiskimin dhe shkatërrimin e substancës narkotike të gjetur tek i akuzuari.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 19 nëntor 2015, Halil Jonuzi akuzohej se më 18 mars 2012, në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike në sasi prej 0.24 gram.

Ndërsa pas kontrollit nga Njësia e Stacionit Policor, sasia e narkotikëve është gjetur te i akuzuari dhe është konfiskuar.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.