Gjykata Refuzon Kërkesën e Kunatit të Shyhrete Berishës

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve të kunatit të Shyrete Berishës për përjashtimin e gjykatësit në këtë rast dhe komplet gjykatës së Suharekës.

Shyhrete Berisha e cila humbi fëmijët dhe burrin e saj më 23 mars të vitit 1999 në masakrën ndaj familjes së saj në Suharekë, qe 15 vite është duke vazhduar betejën ligjore për shtëpinë në të cilën deri në atë ditë  ajo jetoi me bashkëshortin dhe fëmijët e saj.

Por kunati i saj, Xhelal Berisha, po pretendon se shtëpia më nuk i takon asaj.

Si kompensim, kunati i ka ofruar Shyhrete Berishës një banesë por ajo e ka refuzuar këtë ofertë duke insistuar në të drejtën për ta shfrytëzuar shtëpinë.

http://kallxo.com/xhelal-berisha-me-oferte-te-re-per-shyhrete-berishen/

Pas shumë seancave të mbajtura në Suharekë, avokatët e Xhelal Berishës kanë kërkuar që rasti më të mos shqyrtohet nga trupi gjykues aktual por as nga gjykata në Suharekë.

http://kallxo.com/kerkohet-perjashtimi-i-gjykates-se-suharekes-ne-rastin-e-shyhrete-berishes/

Por Gjykata Themelore në Prizren e ka refuzuar këtë kërkesë.

Në vendim, kërkesa e avokatëve për përjashtimin e trupit gjykues dhe gjykatës në tërësi nga ky rast cilësohet si e pabazuar

“Kërkesa është e pajustifikueshme juridikisht dhe e pa bazuar ligjërisht sepse nuk ekzistojnë rrethanat dhe nuk kanë as një fakt të cekur për përjashtimin e gjykatësit”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit.

Avokati i Shyhrete Berishës, Naim Qelaj, tha për KALLXO.com se një kërkesë e tillë nuk ka pasur bazë ligjore dhe se kryetari i gjykatës “ka vepruar drejt” në këtë rast.

“Unë edhe në seancën e fundit e kam kundërshtuar një kërkesë të tillë duke u bazuar në atë që nuk ka qenë e arsyeshme dhe nuk ka pasur bazë ligjore, kështu që unë konsideroj se kryetari i gjykatës ka vepruar drejt”, tha Qelaj.

http://kallxo.com/shyhrete-berisha-kerkon-shtepine-edhe-ne-baze-te-kontributit/

Sipas tij, rasti është shumë specifik dhe duhet të reflektojë në ndryshimet ligjore sa i përket të drejtave të grave në trashëgimi, pasi ligji aktual nuk është i favorshëm dhe shkel të drejtat e grave.

“Besoj që në të ardhmen kem me pasë raste të tilla të ngjashme dhe besoj që duhet të jetë një rast që të reflektojë në ndryshimet ligjore që janë përfillur kohëve te fundit sa i përket të drejtave të grave në trashëgimi”, tha ai

KALLXO.com kontaktoi edhe Shpresa Berishën, avokaten e Xhelal Berishës, por ajo nuk u përgjigj në telefon.

Avokatet Shpresa Berisha dhe Shemsje Sheholli të cilat përfaqësojnë Xhelal e Arben Berishën, në seancën e 25 nëntorit kishin kërkuar përjashtimin e gjykatësit Shaban Zeqiraj me arsyetimin se ai është i njëanshëm dhe jo objektiv.

Lënda i është kthyer gjykatësit Shaban Zeqiraj për procedim të mëtutjeshëm.

http://kallxo.com/shyhrete-berisha-nuk-e-pranon-banesen-ne-prishtine-kerkon-shtepine-e-vet/