Leposaviqi - FOTO KALLXO

Policia del me sqarim rreth raportimeve për rrahjen e dy personave në një fshat të Leposaviqit

Policia e Kosovës përmes një reagimi lidhur me disa raportime se dy të rinj serb janë rrahur dhe keqtrajtuar nga Policia në një fshat të Leposaviqit ka sqaruar se rasti në fjalë është adresuar në Inspektoratin e Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës menjëherë pas publikimit të këtyre informacioneve, me datë 08.03.2023 ka ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme konform autorizimeve ligjore, me qëllim të verifikimit dhe trajtimit të informacionit dhe deklarimeve të publikuara, të cilat kanë rezultuar se nuk ka ndonjë rast të raportuar apo evidentuar në institucionet kompetente”, thuhet në reagimin e Policisë.

Tutje policia ka bërë të ditur se “Bazuar në informacionet dhe verifikimet zyrtare me të gjitha njësitet policore në terren, përfshirë ato kufitare, është vërtetuar se një rast i tillë nuk është raportuar në Polici të Kosovës, informacion ky i cili iu është kumtuar mediave të interesuara kryesisht serbe”.

“Deklarimet dhe publikimet në fjalë, sipas kompetencës, Policia e Kosovës i ka adresuar te Inspektorati Policor i Kosovës për trajtim dhe kompetencë të mëtejme”, thuhet në reagimin e Policisë.

Në anën tjetër, Dragosh Miçeviq, babai i njërit prej të sulmuarve gjatë një debati publik me Avokatin e Popullit në Leposaviq, ka deklaruar se para dy netësh i është rrahur djali dhe komshiu i tij.

“Para dy nete (e martë) kanë rrahur djalin tim dhe komshiun tim. Sa e di unë e drejta policisë është që kur të ndaloj dikë t’i kërkoj mjetet e identifikimit dhe jo të nxirret me dhunë nga vetura dhe të hidhet në asfalt”, ka thënë ai.

“Nuk e di si do të ndiheni ju nëse ju kishte ndodhur ngjashëm. Kjo nuk është hera e parë që ka ndodhur në fshatin tim Jashanicë. Nëse ju nuk e ndaloni çka po ndodh atëherë asnjë e mirë nuk do të ndodhë ky nuk është qëndrimi im është qëndrimi i gjithë fshatit tim”, tha ai.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj duke u përgjigjur në çështjen e ngritur nga ky qytetar tha se çdo tejkalim i autorizimeve ligjore paraqet shkelje të të drejtave të njeriut.

“Për çështjet e sigurisë për ushtrimin e forcës nga policia që u ngritën këtu, ajo çka unë deklaroj sot është që çdo tejkalim i autorizimeve vlerësoj që është në kundërshtim me ligjin, keqtrajtim apo çfarëdo forme tjetër për mua është shkelje e të drejtave të njeriut”, tha Avokati i Popullit Qelaj.

Ndwrkohw Zyra për Kosovë nw qeverinw e Serbisw, njoftoi se rrahja e të rinjve serbë Dorde M. (24) dhe Lazar Đ. (23) në Joshanica afër Leposaviç është një pasqyrë e vërtetë e realitetit në të cilin populli serb është i detyruar të jetojë në Kosovë.

“Këta djem kanë qenë mbrëmë subjekt i torturës së ushtruar pa arsye nga anëtarët e policisë speciale ROSU dhe gjëja më e tmerrshme është se përdorimi i tepruar i forcës dhe zbatimi i torturës policore nuk është një incident i thjeshtë, por një urdhër i drejtpërdrejtë i autoriteteve në Prishtinë për të maltretuar dhe frikësuar serbët në çdo hap”, thuhet në deklaratë.

Zyra në reagimin e saj pretendon se policët e nacionalitetit shqiptar nuk kanë asgjë për të kërkuar në veri të Kosovës dhe se prania e tyre është e paligjshme dhe drejtpërsëdrejti në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit.

“Ata paralajmërojnë se është e qartë se detyra e forcave speciale Rosu në veri është terrori dhe frikësimi, të cilat, siç vlerësojnë ata, po tregohen gjithnjë e më hapur”.

Sqarimi i plotë i Policisë së Republikës së Kosovës:

SQARIM PËR MEDIA

Prishtinë, 9 mars 2023

Referuar deklarimeve dhe publikimeve të datës 08.03.2023 nga disa mediume, se kinse në një fshat të komunës së Leposaviqit, dy të rinj të nacionalitetit serb janë rrahur/keqtrajtuar nga zyrtarë policorë siç e quajnë ata njësia ROSU, ju informojmë dhe njëherit sqarojmë se:

Policia e Kosovës menjëherë pas publikimit të këtyre informacioneve, me datë 08.03.2023 ka ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme konform autorizimeve ligjore, me qëllim të verifikimit dhe trajtimit të informacionit dhe deklarimeve të publikuara, të cilat kanë rezultuar se nuk ka ndonjë rast të raportuar apo evidentuar në institucionet kompetente.

Bazuar në informacionet dhe verifikimet zyrtare me të gjitha njësitet policore në terren, përfshirë ato kufitare, është vërtetuar se një rast i tillë nuk është raportuar në Polici të Kosovës, informacion ky i cili iu është kumtuar mediave të interesuara kryesisht serbe.

Deklarimet dhe publikimet në fjalë, sipas kompetencës, Policia e Kosovës i ka adresuar te Inspektorati Policor i Kosovës për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, dhe njëkohësisht fton të gjithë qytetarët që për çfarëdo rasti apo kërkese t’i adresohen institucionit policor për trajtimin e tyre. Po ashtu ftojmë edhe mediat që për informacione zyrtare t’i adresohen Policisë së Kosovës.