Foto: KALLXO.com

Avokati i Popullit takon banorët e Gremnikut të Klinës që po kundërshtojnë ndërtimin e fabrikës së çimentos në fshat

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, sot është takuar me banorë të fshatit Gremnik të Klinës, të cilët janë duke kundërshtuar ndërtimin e fabrikës së çimentos në fshatin e tyre.

Qelaj tha se arsyeja e vizitës së tij është për të dëgjuar nga afër problemet dhe ankesat e banorëve të këtij fshati.

“Unë dua të dëgjoj nga afër problemet tuaja, para se të jap ndonjë përgjigje në lidhje me çështjen” – tha Qelaj.

Njëri nga banorët e fshatit u ankua se Komuna nuk ka dhënë shumë informata rreth ndërtimit të fabrikës, duke thënë se kishte ‘terr informativ’ rreth projektit.

“Kemi qenë në një terr informativ sa i përket informatave, por edhe dëgjimit publik që është mbajtur për këtë fabrikë” – tha njëri nga banorët e fshatit.

Ndërsa një tjetër banor tha se Kushtetuta u garanton atyre pjesëmarrjen në vendimmarrje dhe se banorëve të fshatit duhet t’u takojë 50% e vendimmarrjes.

Pas diskutimit, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, bashkë me banorët vizituan vendin ku planifikohet të ndërtohet fabrika e çimentos.

Qytetarë të ndryshëm të Klinës disa herë kanë kundërshtuar ndërtimin e kësaj fabrike të çimentos. Ata kanë iniciuar një peticion kundër saj, të cilin e kanë nënshkruar mijëra qytetarë të Klinës.