Avokati i Popullit, Naim Qelaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Avokati i Popullit bisedon me Pantiq: Nuk ka ankesa për trajtim nga Policia e Kosovës

Avokati  i Popullit, Naim Qelaj ka njoftuar se të premten ka mbajtur një video takim me Dejan Pantiq, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, i dyshuar për akte terroriste dhe kundër rendit kushtetues.

Pantiq është arrestuar më 10 dhjetor nën dyshimin se ka sulmuar zyrat E Komisioneve Komunale Zgjedhore në komunat e veriut.

Pas arrestimit të tij, në disa lokacione në veri të vendit janë ngritur barrikada, derisa Patniq vazhdon të qëndrojë në paraburgim në veri, për shkak të pamundësisë për t’u transferuar në Prishtinë.

Për shkak të pamundësisë për të vizituar fizikisht për shkak të barrikadave, Avokati i Populli, Naim Qelaj ka mbajtur një takim me video me Dejan Pantiqin.

“Gjatë intervistimit, z. Pantiç tha se nuk ka ndonjë ankesë sa i përket trajtimit nga Policia e Kosovës. Ai ka avokat mbrojtës dhe e ka realizuar një takim online me të, ndërsa më 22 dhjetor 2022 ata kanë biseduar përmes telefonit. Familja është njoftuar për faktin se ai u arrestua dhe iu shqiptua masa e paraburgimit. Deri më tani nuk ka realizuar takim me ta, pasi që takimet dhe telefonatat janë subjekt i lejes nga gjykata kompetente” – thuhet në komunikatën e Zyrës së Avokatit të Popullit.

Për gjendjen shëndetësore të Pantiq, Zyra e Avokatit të Popullika njoftuar se ai është duke marrë terapinë adekuate.

“Sa i përket gjendjes shëndetësore, ai tha se vuan nga tensioni, por është duke e marrë terapinë adekuate. Ai po ashtu po i përdorë medikamentet që i kishin sjellë familja e tij. Ai theksoi se atij iu sigurua edhe shtrati për të fjetur dhe se i është dorëzuar vendimi gjyqësor për caktimin e masës së paraburgimit”- është thënë në njoftim.

“Ai ka kërkuar nëse Avokati i Popullit mund të ndihmojë për kërkesën e tij që t’i lejohet vizita nga avokati mbrojtës dhe familja, dhe që të akomodohet në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë dhe jo në ndonjë qendër tjetër” – njofton Avokati i Popullit.

Më tej, Qelaj ka kërkuar nga organet kompetente që të bëjnë maksimumin e tyre që Pantiq të trajtohet në pajtim me legjislacionin duke respektuar të gjitha të drejtat që i takojnë.

Takimi i Qelajt me Pantiq është zhvilluar online në pamundësi për ta vizituar në qendrën e ndalimit ku po mbahet, për shkak të barrikadave.

Pantiq është arrestuar nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Jarinje, ku edhe po mbahet në paraburgim me vendim të gjykatës, në pamundësi për tu transferuar në ndonjë qendër të paraburgimit për shkak të situatës së krijuar.

Dejan Pantiq është arrestuar më 10 dhjetor si i dyshuar për sulmet kundër zyrtarëve të KQZ-së dhe policëve të Kosovës.

Pas arrestimit të tij, serbët kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak dhe si rezultat i këtyre bllokadave janë mbyllur për qarkullim dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë.