Foto: Presidenca e Republikës së Kosovës

Presidentja takoi Avokatin e Popullit, diskutuan për të drejtat e njeriut dhe Ligjin për zgjedhjet

Presidentja Vjosa Osmani ka diskutuar sot me Avokatin e Popullit, Naim Qelaj, për situatën e të drejtave të njeriut në vend.

Presidenca njofton se Qelaj e njoftoi presidenten për rastet më shpesh të adresuara në institucionin që ai drejton.

“Ndër të tjera, Presidentja Osmani u informua edhe për analizën që e ka bërë ky institucion rreth Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkitazi me barazinë gjinore, çështje, të cilën Avokati i Popullit e ka ngritur edhe në takimin e fundit të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut” – thuhet në njoftim.

Ata kanë folur edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet homologe të vendeve të tjera, si dhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.