Gjykimi për vrasjen e rreshterit Shemsi Gashi | Foto: KALLXO.com

Gjykata Nuk Vendos për të Akuzuarit për Vrasjen e Rreshterit Policor

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka rihapur procedurën ndaj të akuzuarve për vrasjen e rreshterit policor, Shemsi Gashi, në mars të vitit 2015.

Vendimi i trupit gjykues erdhi në ditën kur pritej të bëhej shpallja e aktgjykimit ndaj të dyshuarve.

Për shkak të sqarimit të “disa nga rrethanave”. trupi gjykues në krye me Valbona Musliu- Selimaj ka parë të arsyeshme që të bëjë rihapjen e shqyrtimit gjyqësor.

Të akuzuarit nuk kanë mundur të sillen në gjykatë sot për shkak të njësisë së transportit të cilët nuk kanë mundur ta ekzekutojnë urdhëresën e gjykatës.

Seanca e radhës u caktua për 28 dhjetor në orën 9:30.

Ramadan Gashi, Mujë Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku akuzohen për planifikimin e vrasjes së Shemsi Gashit, ndërsa për vrasjen e tij ngarkohen Vesel Gjinovci e Kujtim Bejiqi.

Eprori policor i krimeve ekonomike Shemsi Gashi ishte vrarë më 25 mars 2015 në Lagjen “Mati” të Prishtinës rrugës për në zyrën e tij, ndërsa për vrasjen e tij Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzon tetë persona, një pjesë e madhe e të cilëve janë të afërm të tij.

Sipas prokurorisë, për vrasjen e Gashit, Gjinovcit dhe Bejiqit i ishin pajtuar që për 5 mijë euro.

Hetimet e Prokurorisë së Prishtinës kanë përjashtuar mundësinë që vrasja të ketë motiv punën të cilën Gashi e kishte kryer në Policinë e Kosovës.

Motivi i ngjarjes sipas prokurorisë  ishte një problem pronësor në mes të të ndjerit dhe Ramadan, Mujë e Agron Gashit.

Bëhet fjalë për një parcelë pronësore prej 40 arësh në Lagjen e Spitalit në Prishtinë të cilën e kishin trashëguar bashkërisht nga paraardhësit e tyre.

Po ashtu aktakuza Ramadan Gashin, Mujë Gashin, Robert Gashin, Vesel Bunjakun  dhe Vesel Gjinovcin i ngarkon edhe për armëmbajtje pa leje.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.