Foto: Liqeni i Përlepnices/Facebook

Gjilani shpall gjendje emergjente për mungesën e ujit të pijshëm

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka njoftuar se sot ka shpallur gjendje emergjente, për shfrytëzimin e ujit të pijshëm, e që sipas tij, nënkupton një Task Forcë mes Komunës, Hidromoravës dhe Policisë Kosovës.

Ai ka thënë se tashmë ka rënie drastike të ujit në pendën e Përlepnicës, si pasojë e mungesës së reshjeve dhe temperaturave të larta.

“Ekipet e përbashkëta do të ndërmarrin veprime konkrete dhe nuk do të ketë asnjë tolerance për ata që nuk e respektojnë këtë vendim. Gjobat mandatore janë jashtëzakonisht të rënda deri në 300 euro. Jemi në koordinim edhe me Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Departamentin e Ujërave, për ta përballuar sezonin e thatësisë. Apeloj që kjo gjendje emergjente të respektohet.”, ka shkruar Haziri në Facebook.

I pari i kësaj komune ka njoftuar banorët e Gjilanit se nuk lejohet asnjë lloj ujitje me ujë të pijshëm për kopshtet, rrugët, arat bujqësore, autolarjet e të ngjashme.

“Lutemi që të mos shkojmë në situatë të jashtëzakonshme me masa edhe më ekstreme dhe të arrijmë të përballojmë thatësinë!”, ka theksuar ai.