Gjilan, arrestohen dy persona për ‘vetëgjyqësi’, ushtruan ndikim tek borxhliu

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndaluar për 48 orë dy persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “vetëgjyqësia”.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se të dyshuarit me inicialet V.H., dhe G.A., me datë 1-2 dhjetor, me dashje, me anë të përdorimit të forcës dhe kanosjes serioze, si dhe me anë të ushtrimit në mënyrë arbitrare të një të drejte që mendonin se u takon, në vend se t’i drejtohen organit kompetent, me qëllim të realizimit të një borxhi në shumë prej 28 mijë euro, kanë shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit me inicialet A.A.

“Të dyshuarit nga nëna e të dëmtuarit A.A, me këmbëngulje kërkonin borxhin, të cilin pretendonin se ua kishte i dëmtuari dhe nën kërcënimin e fjalëve e kërkojnë të njëjtin, ku në një moment fillojnë ta shtyjnë me duar të dëmtuarën, të cilën edhe e rrëzojnë në tokë”, njofton prokuroria.

Prokuroria ka njoftuar se të dyshuarit, që nga fillimi i muajit nëntor, kanë ushtruar presion në familjen e të dëmtuarit, për inkasimin e borxhit.

Për të dyshuarit, prokuroria ka njoftuar se ka ushtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente në Gjilan, si dhe ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve, me qëllim të ndriçimit të kësaj çështje.