Ilustrimi: relocatemagazine.com

Gjatë një viti, mbi 90 mijë kosovarë aplikuan për vizë Schengen

Mosheqja e regjimit të vizave për kosovarët nuk i ka ndaluar ata të synojnë një jetë më të mirë drejt Perëndimit. Kështu, qytetarët e Kosovës realizimin e ëndrrës e kanë synuar përmes aplikimit për viza.

Çdo ditë qytetarët e Kosovës presin me orë të tëra pranë ambasadave të shteteve të ndryshme në Prishtinë. Ata synojnë të pajisen me vizë qoftë për qëndrim afatshkurtër apo afatgjatë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar afro 31 mijë shtetas të Kosovës aplikuan për viza Schengen në Zvicër.

Sipas të dhënave zyrtare nga Schengen visa info, nga 30,712 aplikues prej tyre viza u është aprovuar 24,694 qytetarëve.

Duke u bazuar në këto të dhëna në zonën Schengen, Gjermania prin me 32,529 aplikues kosovarë e që prej tyre 25,098 kanë arritur të shkojnë.

Pastaj renditet Greqia, Italia, Sllovenia, Hungaria, Norvegjia, Finlanda dhe Sllovakia, që arrihet shifra me totalin 90,840 aplikues dhe që prej tyre 71,257 u është aprovuar ndërsa 19,631 nuk kanë arritur të pajisjen me vizë Schengen.

Kësaj liste i prin Finlanda që ka refuzuar më së shumti viza për qytetarët e Kosovës me 34.3% dhe Hungaria me 29.9%.

Ndërkaq, gjatë muajit prill, në një përgjigje për KALLXO.com Ambasada gjermane në Prishtinë ka thënë se vetëm gjatë vitit 2018 kjo Ambasadë ka lëshuar rreth 38,000 viza.

“Prej tyre rreth 25,000 viza për qëndrim afatshkurtër (të ashtuquajturat viza Schengen për turizëm, udhëtime afariste etj.), ndërsa rreth 13,000 viza për qëndrim afatgjatë (bashkim familjar, punë, studime etj.)”, thuhet në përgjigjen e tyre përmes postës elektronike.

Sipas Ambasadës, duke pasur parasysh zhvillimet aktuale duket se shifrat për vitin 2019 do të jenë të përafërta me nivelin e periudhave referuese të viteve paraprake.

“Ambasada gjermane në Prishtinë gjatë viteve të fundit ka ngritur ndjeshëm kapacitetet për shqyrtimin e kërkesave për viza. Megjithatë, numri i kërkesave edhe më tutje tejkalon kapacitetet e Ambasadës. Për këtë arsye pritjet janë të pashmangshme”, është thënë në përgjigjen e tyre sa i përket numrit të madh të qytetarëve që presin në radhë jashtë objektit të Ambasadës.

Pas ikjes masive të qytetarëve të Kosovës në vitet 2014/2015, një largim i heshtur ka nisur që nga janari i këtij viti.

KALLXO.com raportoi se shumë të rinj nga Kamenica po largohen në drejtim të Kroacisë, e cila po jep me lehtësi viza njëvjeçare të punës.

“Tregoni atyre qeveritarëve tanë se është duke e humbur rininë. Ata janë duke e humbur jo ne. Ata [Qeveria] nuk po na e dinë vlerën neve, sepse as nuk po hapin vende të reja të punës”, kishte thënë një 24 vjeçar nga Kamenica prapa kamerës së KALLXO.com, në janar.

Ndërsa, sipas një raporti të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, thuhet se për periudhën 2013-2017 mesatarisht në vit kanë emigruar deri në 35 mijë qytetarë të Kosovës dhe se pjesa dërmuese e emigrimit kishte përfshirë grupmoshat e reja kryesisht 25-44 vjeç.

Për këtë rast, edhe në Kuvendin e Kosovës është mbajtur debat lidhur me “zbrazjen e Kosovës nga të rinjtë, si rreziku më i madh që i kanoset vendit që nga paslufta”.

Aty u tha se ikja e kosovarëve drejt perëndimit nuk është diçka e re, ngase kjo ka ndodhur në vazhdimësi. Mirëpo, sipas deputetëve, nëse në të kaluarën janë larguar për shkak të presionit nga regjimi serb, ata sot po largohen nga kushtet e këqija ekonomike.

https://kallxo.com/ikja-e-rinise-per-nje-vit-afer-40-mije-kosovare-moren-viza-gjermane/

www.kallxo.com