Pamje nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës - Foto: ZKM

GAP Kundërshton Rritjen e Pagave në Sektorin Publik

Sipas këtij Instituti, kërkesa e kryeministrit Mustafa për Ministrinë e Financave që me rastin e rishikimit të buxhetit 2017 të shikohet mundësia e rritjes së pagave për shërbyesit civilë, punonjësit e arsimit dhe ata të shëndetësisë, bie ndesh me programet qeveritare dhe me zotimet e Qeverisë së Kosovës të dhëna me Planin Nacional për Reforma në Ekonomi 2017.

GAP përkujton se pikërisht për të evituar rritjen uniforme të pagave, ashtu siç ka ndodhur më 2011 dhe më 2014, në vitin 2015 Qeveria e Kosovës ka ndryshuar dhe plotësuar Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, në të cilin parashihet se që nga viti 2018, rritja e pagave në sektorin publik duhet të reflektojë rritjen e gjithëmbarshme ekonomike.

“Andaj, paralajmërimi i Qeverisë për rritjen e pagave që nga pjesa e dytë e 2017 është hap i gabuar dhe i shtyrë nga presioni i sindikatave në sektorin publik dhe për faktin se 2017 është vit zgjedhor”, thuhet në reagimin e Institutit GAP.

“Në shërbimin civil, rritja e pagave përcillet me vlerësimin e performancës individuale të secilit nëpunës civil dhe me avancimin në karrierë. Rritja e pagave në grup për të gjithë nëpunësit civil është edhe dekurajim për ata nëpunës civil të cilët kanë treguar performancë të mirë në punë dhe rrjedhimisht do të duhej të kishin rritje në pagë dhe avancim në pozitë apo karrierë”, thuhet më tej në reagim.

Po ashtu, Instituti GAP thekson se rritja e tillë bie në kundërshtim edhe me përpjekjet e vet Qeverisë për një nivelizim dhe stabilizim të pagave përmes Projektligjit për pagat në sektorin publik.

“Gjithashtu, në Programin e Kosovës për Reforma në Ekonomi më 2016  dhe 2017 , Qeveria e Kosovës është mburrur duke deklaruar se ka arritur që në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë të fus rregullën e cila ndërlidh rritjen e pagave me rritjen e Bruto Produktit Vendor (BPV) nominal”, thekson GAP.

Instituti GAP rekomandon që Qeveria e Kosovës të përmirësojë planifikimin e rritjes së pagave në sektorin publik dhe të mos i rrisë pagat mbi normën e rritjes vjetore ekonomike.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri Isa Mustafa paralajmëroi rritje të pagave.

http://kallxo.com/mustafa-propozon-rritje-te-pagave/