Gjykimi për vrasjen e ish-drejtorit të arsimit | Foto: KALLXO.com

Gani Sahiti i Kërkon Falje Familjes së ish-Drejtorit

Në seancën ku u dha fjala përfundimtare e palëve, i akuzuari Gani Sahiti deklaroi se ndihet i penduar për veprën që e ka kryer, ndërsa i kërkoi falje familjes së Remzi Salihut.

Sahiti akuzohet se më 3 tetor 2011 në vendin e punës në mënyrë dinake dhe të paskrupullt privoi nga jeta Remzi Salihun, atëkohë drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës.

Në seancë prokurorja Besa Limani tha se gjatë gjykimit janë vërtetuar pretndimet e prokurorisë.

“Pas shqyrtimit të të gjitha fakteve dhe provave është vërtetuar gjendja faktike në lidhje me këtë rast,” deklaroi prokurorja Limani.

Ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Xhafer Maliqi deklaroi se kjo vepër penale është kryer me dashje dhe i akuzuari nuk është i sëmurë.

Ajshe Salihu, bashkëshortja e Remzi Salihut, palë e dëmtuar e këtij procesi, tha në gjykatë se nuk ka çfarë t’u shtojë fjalëve të thëna nga përfaqësuesi i saj.

Haxhi Millaku, mbrojtës i të akuzuarit Gani Sahiti në fjalën e tij përfundimtare tha se nuk ka ekzistuar dashja gjatë vrasjes së Remzi Salihut.

“I mbrojturi im nuk ka dashtë ta kryej këtë vrasje, mirëpo kjo ka ardhur si rezultat i gjendjes së rëndë shpirtërore të klientit tim dhe këtu nuk ka ekzistuar dashja,” tha Millaku.

Ai kërkoi që gjatë matjes së dënimit për Gani Sahitin të merren parasysh nga gjykata rrethanat lehtësuese.

Për veprën penale për të cilën akuzohet, Gani Sahiti nga Gjykata Themelore e Prishtinës në qershorin e vitit 2013 qe dënuar me 35 vjet burg.

Mirëpo, rasti u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në janar 2014 me arsyetimin se janë konstatuar shkelje thelbësore të dispozitave penale gjatë gjykimit të shkallës së parë.

Në rigjykim në seancën e 14 prillit 2015 pas leximit të aktakuzës Gani Sahiti kishte deklaruar se i pranon disa veprime lidhur me veprën për të cilën akuzohet, por jo edhe kualifikimin e aktakuzës.

Shpallja e aktgjykimit në lidhje me këtë rast do të bëhet të hënën me 10 tetor 2016.

KALLXO.com shkroi vazhdimisht për këtë proces gjyqësor.