Ftohet në Gjykatë më 30 Shkurt!

I gjendur në dilemë dhe i befasuar nga kjo ftesë, ky qytetar që nuk ka dashur të identifikohet, ftesën e pranuar nga gjykata  e ka dërguar në KALLXO.com.

Qytetari ka treguar se ftesa në datën që nuk ekziston i është dërguar nga Divizioni i Kundërvajtjes i kësaj gjykate.

Në ftesë thuhet se “nëqoftëse nuk i përmbaheni kësaj thirrje dhe nuk e arsyetoni mungesën tuaj…do të bëhet sjellja me dhunë…”.

KALLXO.com për t’u interesuar për këtë datë të gabuar kontaktoi Zyrën për Informim të Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Kjo zyrë e pranoi se është bërë gabim.

“Në ftesën e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Divizioni për Kundërvajtje, të datës 08.02.2016, gjatë plotësimit të saj është përvjedhur një gabim teknik,” thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim.

Nga gjykata në Ferizaj nuk treguan nëse ky gabim është përmirësuar dhe a i është dërguar qytetarit ftesa tjetër.

Muaji shkurt këtë vit ka 29 ditë. 29 ditë herën e fundit i kishte në vitin 2012, ndërsa 29 do t’i ketë edhe në vitin 2020.

Sipas Wikipedias kur Suedia ndryshoi mënyrën e llogaritjes së orëve, ditëve e viteve, në vitin 1712 shkurti në këtë shtet i pati 30 ditë.

Duket se ky fenomen është përsëritur në Gjykatën Themelore në Ferizaj. [interaction id=”56d21e7936e5105a3a0c0a80″]