?????

Financimi i RTK-së në Tryezën e OSBE-së

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE) dhe Radio-Televizioni i Kosovës (RTK), organizuan konferencën rajonale me temën “Opsionet për Financimin e Mediumit Publik në Kosovë”

Në fjalën hyrëse të këtij takimi, ambasadori Jean-Claude Schlumberger, shef I misionit të OSBE-së në Kosovë foli për kontributin dhe mbështetjen që Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Evropian ka dhënë për RTK-në.

“Që nga themelimi i tij në vitin 1999 e deri më sot, përveç ndihmave financiare në vitet e hershme, OSBE-ja ka ndihmuar RTK-në në trajnime të ndryshme. Këtu mund ta fusim trajnimin për redaktorë dhe gazetarë. OSBE-ja ka mbështetur bashkëpunimin ndërmjet RTK-së dhe mediave lokale në produksion,” tha Schlumberger.

Schlumberger më tej foli për historikun e financimit të këtij institucioni: nga donacionet, financimi përmes faturimit nga Korporata Elektro-Energjetike e Kosovës sipas udhëzimit administrativ të UNMIK-ut të vitit 2003, e deri te Ligji për Financimin e RTK-së (i vitit 2012) nga buxheti për tre vjet.

Kjo periudhë përfundoi në vitin 2015 dhe zgjidhje afatgjatë për financimin e RTK-së ende nuk është gjetur.

Shefi i Sektorit Politik, Ekonomik dhe për Integrime Evropiane Thomas Gnochi tha se BE-ja i kushton rëndësi të madhe financimit të RTK-së dhe lirisë së shprehjes.

“Tema e financimit të transmetuesit publik të Kosovës, është temë që BE-ja i jep rëndësi të madhe. Po ashtu çështja e përgjithshme e lirisë së shprehjes dhe e medieve,” tha Gnochi.

Isabelle Servoz-Gallucci, shefe e Zyrës në Prishtinë të Këshillit të Evropës tha se fokus i tyre është liria e shprehjes, por duke mbështetur edhe çështjet tjera.

“Kemi në fokus më të madh lirinë e shprehjes, posaçërisht siç është shkruar në nenin 10 të Konventës për të Drejtat e Njeriut, por pa dyshim që ne mbështesim të gjitha këto çështje që kanë të bëjnë me financimin e transmetuesit publik,” tha ajo.

Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media tha se tryeza do të ndihmojë gjetjen e zgjidhjes për financimin e RTK-së.

“ Kjo konferencë zotëri ambasador, më shumë se kurrë na duhet tash, edhe pse jemi shumë vonë në bërjen e ligjit dhe ndryshimin e Ligjit për Radio-Televizionin Publik të Kosovës dhe në fokusin për gjetjen e një financimi të qëndrueshëm për televizionin publik,” tha Pajaziti

Ismet Bexheti, kryetar i Bordit të RTK-së, tha se nga ky diskutim do të dalë ndonjë ide për financimin e televizionit publik.

“Unë besoj që edhe kjo konferencë me temën opsionet për financimin e mediumit publik në Kosovë, do të rrjedhin nga kjo edhe idetë të cilat do të reflektojnë në gjetjen e mënyrës adekuate të qëndrueshme të financimit të RTK-së,” tha Bexheti.

Më 4 prill Ministrisë së Financave iu rekomandua nga Komisioni i Financave dhënia e 2.4 milionë eurove për RTK-në në periudhën prill-qershor të këtij viti.

http://kallxo.com/2-milione-e-400-mije-euro-per-rtk-ne/

Nëpër komisione u diskutua gjatë këtij viti për gjetjen e mënyrës më të mirë të financimit të RTK-së, por nuk u vendos ndonjë gjë për këtë çështje.

http://kallxo.com/propozime-te-ndryshme-per-financimin-e-rtk-se/